TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në nëntor të vitit 2013, llogaritë e Autoritetit Libian të Investimeve dhe Kompania e Investimeve të Huaja për Libinë në Bankën Euroclear në Bahrein dhe Luksemburg kishin 16.1 miliardë euro, që konsideroheshin asete të ngrira. Megjithatë, kur autoritetet verifikuan fondet në vitin 2017, zbuluan se në këto llogari nuk kishte më shumë se 5 miliardë dollarë.
“Kanë mbetur më pak se 5 miliardë euro në katër llogari të hapura në Euroclear Bank SA”, thotë Denis Goeman, zëdhënës i prokurorit të Brukselit. Fondet e mbetura janë ende nën sekuestro, por deri më tani Euroclear ka refuzuar dorëzimin e llogarive, duke bërë që prokurori të kërcënojë institucionin me “masa më shtrënguese” nëse Euroclear nuk liron fondet e mbetura libiane brenda një periudhe të caktuar. Autoritetet e drejtësisë belge e vunë re mungesën e parave në vjeshtë të vitit 2017, kur prokurori Michel Claise, i cili hetonte rreth dyshimeve për pastrim parash nga njerëzit e afërt të Gedafit, kërkoi konfiskimin e fondeve të ngrira të qeverisë libiane.
Këto asete financiare kanë qenë të ngrira që nga marsi i vitit 2011, në përputhje me rezolutën 1973 të Këshillit të Sigurimit në OKB. Megjithatë, Belgjika nuk ka autorizuar asnjëherë “shkrirjen” e tyre, thonë zyrtarë të Administratës së Përgjithshme të Thesarit për mediat belge.
Sipas gazetës “Le Vif”, ka shumë indicie që të bëjnë të dyshosh se Belgjika nuk i ka zbatuar rigorozisht udhëzimet e OKB-së që rregullojnë ngrirjen e aseteve në llogari të caktuara libiane në bankat lokale. Para kryengritjes së vitit 2011, që rrëzoi Ghedafin nga pushteti në Libi, vendi ka qenë një eksportues i madh i naftës. Për të menaxhuar më mirë paratë që vinin nga rezervat më të mëdha të naftës në Afrikë, në vitin 2006 qeveria libiane krijoi Autoritetin Libian të Investimeve, për të investuar jashtë vendit pasurinë e krijuar nga ari i zi.
Por, me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 2011, OKB-ja vendosi sanksione ndaj aseteve të qeverisë libiane, duke bllokuar 67 miliardë dollarë nga Fondi Libian i Investimeve. Megjithatë, në BE qeveritë e vendeve anëtare ngrinë vetëm shumat fillestare, ndërkohë që interesat dhe dividentët e fituar pas vitit 2011 mbetën aset likuid.
Një investigim i kryer muajin e kaluar nga “Politico” zbuloi dalje të mëdha dhe të rregullta të dividentëve të stokut, të ardhurat nga bonot dhe pagesat e interesit nga fondet prej 16 miliardë eurosh që lidhen me Gedafin në Belgjikë, duke shtuar dyshimet për shmangie të sanksioneve ndaj regjimit.
“Rrjedhjave e interesave nga asetet e fondit në mbarë botën ka qenë një fenomen i shpeshtë”, thuhet në investigimin e “Politico.eu”.
Banka “Euroclear Bank” konfirmoi gjithashtu pagimin e dividentëve mujorë nga katër llogaritë e ngrira. Sipas një shkëmbimi emalilesh mes një punonjësi të “Euroclear” dhe Ministrisë së Financave belge, interesat ishin lënë të rridhnin një herë në muaj për një logari HSBC në Luksemburg që i përkiste Fondit Libian të Investimeve dhe disa llogarive të tjera të saj në Bankën Arabe, një bankë me seli në Bahrein, aksioneri kryesor i së cilës është Banka Qendrore e Libisë.
Ndërsa Ministria e Financave e Belgjikës këmbëngul se pagesat e interesave janë në përputhje me ligjin, autoritetet duhet t’i përgjigjen pyetjes thelbësore si: Ku u zhdukën 10 miliardë euro?