AKTUALITET, 26 Janar 2020, 17:12

Vëzhgim/ Plasin letrat me largime (ose jo) nga Shqipëria, me argumenta sipas qejfit të partive!

Vëzhgim/ Plasin letrat me largime (ose jo) nga Shqipëria, me argumenta

Që prej momentit kur pedagogia Silvana Begaj, postoi një status në faqen e saj personale, me arsyet përse po largohet nga Shqipëria, i cili më pas u kthye në viral në të gjithë portalet dhe gazetat, nuk kanë rreshtur letrat mbi këtë çështje, me arsyet përkatëse përse njerëzit largohen ose jo nga Shqipëria.

Mediat botërisht të njohura si dashamirëse (ose në zhargonin e përditshëm by*lëpirëse) me qeverinë, filluan të botojnë dhe ta bombardojnë lexuesin me letra motivuese të njerëzve që shprehen se nuk do të largohen kurrë nga Shqipëria, se pavarësisht disa problemeve të vogla që ka vendi, ja vlen të investosh dhe jetosh në Shqipëri.

Në këto postime mallëngjyese, mesazhi është i qartë; Në Shqipërinë e drejtuar gjashtë vjet nga i madhi Edi Rama, njeriu ja vlen të bëjë sakrifica dhe ja ku keni shembujt e të rinjve që nuk e braktisin në asnjë mënyrë këtë vend të begatë.

Kategoria e dytë e letrave, që po botohen edhe këto masivisht, janë në mediat të cilat janë skajshmërisht dhe në mënyrë vetëmohuese, dashamirëse (ose ndryshe by*lëpirëse me shpresë se ndërrohet pushteti ) me opozitën e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Në ato letra, vihet theksi tek arsyeja e vetme e largimit të të rinjve, që është Edi Rama. Pra edhe këtu mesazhi është i qartë; Të rinjtë po largohen që çke me të, por kjo vjen vetëm si pasojë e politikave të mbrapshta të Edi Ramës, jo se kanë humbur shpresën tek opozita dhe lidershipi i Lulit dhe Monikës. Shkurt, nëse heqim Edi Ramën dhe e ndërrojmë me Lulin, hallet tona marrin fund!

Pastaj kemi dhe kategorinë e tretë, e përfaqësuar më së miri nga Silvana Begaj, e cila duket se i ka bërë mu*in dy kategorive të para dhe ështe larguar të jetojë jetën e vet e qetë, larg sherrit për pushtet të shushunjave të mësipërme.

Më poshtë po botojmë edhe njëherë shënimin e Silvana Begajt, për të gjithë ju që nuk keni arritur ta lexoni (pavarësisht se është botuar në çdo faqe shqiptare, por mund të keni patur punë dhe halle këto ditë).

/TPZ.al/

Nga Silvana Begaj

Faik Konica: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Mirupafshim Shqipëri! Unë po iki!

Po lë familjen, po lë shokët e shoqet, po lë diellin, po lë kafen time të preferuar, po lë kujtimet dhe me to po lë dhe gjysmën time! Po e lë se do vi prapë ose se ndoshta do ta marr se s’dua të vi më!

Mirupafshim Shqipëria ime! Po lë çdo gjë në duart e të paepurve, krimit, drogës, injorancës. Unë nuk mund ta bëj shpirtin pis në emër të dashurisë për këtë vend!

Mirupafshim Shqipëri! Unë do të mendoj e do më marrë malli! Vras mendjen a do të marrë dhe ty për mua? E nëse do të merrte, pse më le të iki!

Mirupafshim Shqipëri! Vërja flakës veten se unë nuk dua të digjem! Le të digjen ata që duan ty në zjarr.

Mirupafshim Shqipëri e Gjergj Kastriot Skënderbeut! Luftuam kaq vite për ty dhe në fund të shesim me politikë. Turqia që të deshi aq shumë të ka marrë ka kohë me xhamitë e saj dhe telenovelat turke, e Serbia të mori me marrëveshje zotërinjsh.

Mirupafshim Shqipëri se dhe po të rri nuk kam me kë. Vendi po boshatiset çdo ditë dhe ata që janë aty janë thjesht fizikisht se me mendje janë larg nga ti!

Mirupafshim Shqipëri! Po të lë me vendet e tua të bukura që Naim Frashëri shkruante ditë e natë! Po të lë me dy detet më të bukura të rruzullit, me malet më të thepisura, po të lë me ajrin më të ëmbël dhe me diellin që ndriçon më shumë! Tani që e mendoj, po të lë dhe me hënën që të qan hallet çdo natë.

Shqipëri, ti ndoshta nuk e di, por në asnjë vend nuk ngroh dielli si aty dhe nuk ndriçon hëna si aty!

Mirupafshim Shqipëri! Do iki dhe do gjej një vend për qetësinë e shpirtit tim. Një vend që mos të ketë aq vrasje çdo ditë. Kam nevojë të di që jam e sigurt se jam shumë e re të vdes nga rastësia.

Mirupafshim Shqipëri! Mirupafshim o Shqipëri e pasur për 0.001 përqind të popullsisë dhe mjerim për pjesën tjetër.

Hap sytë Shqipëri! Lufta nuk sjell fitore! Tradhëtarët sjellin fitore të pisët!

Eh, do të më mungosh e marrtë dreqi! Do të më mungosh aq shumë sa do pres vetëm një shenjë nga ti dhe unë do të vi përsëri.