Desktop - General - 1
AKTUALITET, 26 Janar 2020, 16:31

Lajm i keq nga Kina, ekspertët zbulojnë se koronavirusi përhapet përpara se të shfaqen simptomat

Lajm i keq nga Kina, ekspertët zbulojnë se koronavirusi përhapet

Koronavirusi i përhapur në Kinë,  ka marrë 56 jetë njerëzish dhe deri në këto momente janë konfirmuar dy mijë të prekur nga ky virus.

Shkencëtarët kanë nisur të kuptojnë më shumë rreth këtij virusi dhe lajmet janë të këqija. Zyrtarët kinezë kanë bërë të ditur se ky virus përhapet që në periudhën e inkubimit, pra përpara se një person të shfaqë simptoma. Për të kuptuar se sa i rëndësishëm është ky fakt, mjafton të dini se viruse si SARS dhe Ebola, transmetoheshin mes njerëzve, vetëm pasi simptomat fillonin të shfaqeshin. Pra, ishte relativisht më e thjeshtë për autoritetet të gjenin zgjidhje për ta kontrolluar virusin, duke izoluar të gjithë personat që shfaqnin simptoma.

Izolimi i të prekurve nga virusi, që nuk shfaqin simptoma është i pamundur, pra ata mund të infektojnë shumë persona të tjerë, përpara se të kuptohet nga autoritetet se ata janë mbartës të virusit.

Ditën e sotme, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë, deklaroi se kapaciteti transmetues i virusit po bëhet më i fuqishëm, çka është një paralajmërim i fortë se shumë më tepër persona pritet të preken prej tij.

Çfarë është Koronavirusi?

Koronaviruset janë një grup i madh virusesh, të cilat njihen gjerësisht në botën e kafshëve, por në raste të rralla ato mund të transmetohen nga kafshët tek njerëzit. Përpara këtij virusi,  bota ka njohur dy Koronaviruse të rrezikshëm si, MERS dhe SARS.

Virusi mund t’i sëmurë njerëzit dhe të krijojë probleme në rrugët e frymëmarrjes, të ngjashme me viruset e rëndomta që prekin popullatën, por shumë të rrezikshme. Përshembull, disa nga simptomat e këtij virusi janë; kolla, dhimbjet e kokës, temperaturë e lartë, dhembje të fytit, të cilat mund të zgjasin për dy ditë.

Për personat me sistem imunitar të dobët, siç janë të moshuarit apo bebet, ekziston rreziku që virusi të shkaktojë sëmundje më të rënda të rrugëve të frymëmarrjes, si pneumonia apo bronkiti.

Personat që janë prekur nga virusi, raportohet se kanë patur të gjithë probleme me frymëmarrjen. Duke qenë se bëhet fjalë për pneumoninë virale, antibiotikët janë të padobishëm.

Mjekët sqarojnë se mund të përdoren ilaçe antivirale, por ato thjesht menaxhojnë simptomat duke i lehtësuar ato, por nuk eleminojnë virusin. Shërimi i pacientit varet nga fuqia e sistemit imunitar.

Si përhapet ky virus?

Virusi përhapet fillimisht nga kafshët tek njerëzit. Shkencëtarët janë të mendimit se virusi MERS u përhap prej gamileve, ndërsa virusi SARS prej maceve.

Virusi përhapet mes njerëzve, pas kontaktit me sekrecionet e personit të prekur. Virusi mund të përhapet nëpërmjet kollës, teshtimave apo edhe nga një shtrëngimi duarsh, përpara se një person i prekur nga virusi të shfaqë shenja, çka e bën më të vështirë virusin për t'u izoluar.

Masat që duhen marrë për të ulur rrezikun e infektimit.

Çdo person duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndërmarrë hapa, për të ulur rrezikun e prekjes nga virusi. Fillimisht duhen evituar personat që janë të sëmurë dhe kontakti i afërt me njerëz që mund të kenë vizituar zonat e prekura më tepër nga virusi. Mundohuni të mos prekni sytë, hundën dhe gojën. Lani duart shpesh me sapun të paktën për 20 sekonda. Nëse jeni sëmurë, qëndroni në shtëpi, evitoni turmat dhe kontaktin me të tjerët. Mbulojeni gojën dhe hundën kur kolliteni dhe tështini. Gjithashtu, disinfektoni objektet që prekni.

/TPZ.al/