AKTUALITET, 15 Korrik 2019, 11:01

“Vëllain e viktimës e gjetëm të kapur pas shkëmbit”, shefi i zjarrfikësve: Fëmijët nuk duhen lejuar brenda në kanionin e Holtës!

“Vëllain e viktimës e gjetëm të kapur pas


E diela që lamë pas ishte një ditë tragjike në Kanionin e Holtës, ku humbi jetën 25-vjeçarja Desantila Sallaku, dhe u shpëtuan në minutat e fundit familjarët e saj, dhe turistë mes tyre dhe fëmijë të mitur.

Të gjendur nën rrymat e shtuara të ujit, dhe pa ndihmë të specializuara nga guidat, të gjithë turistët përjetuan momente tmerri, deri në mbërritjen e ekipit të zjarrfikësve nga Gramshi.

Në një lidhje telefonike me Fax News, shefi i zjarrfikësve të Gramshit Ilir Llapushi ka treguar operacionin e shpëtimit që ndodhi brenda kanionit të Holtës.

Ai u shpreh se fillimisht u synua të shpëtoheshin fëmijët, dhe më pas gjetën vëllain e 25-vjeçares Sallaku, të kapur pas një shkëmbi, pasi nuk ia kishte dalë që të shpëtonte të motrën.

Llapushi vijoi më tej duke thënë se prania e fëmijëve brenda kanionit duhet të jetë e ndaluar, për shkak se aty nuk ka asnjë element sigurie, që mund të garantojë jetën e tyre.

Sipas tij mund të vendoset përkohësisht për mbylljen e Kanionit të Holtës, dhe moslejimin e turistëve për ta vizituar në një mbledhje që do të ketë nesër Shtabi i Emergjencave.

“Ishte e pamundur që të futeshim fillimisht, më pas hymë brenda dhe shpëtuam disa fëmijë, më tej gjetëm, burrin 55-vjeçar, që ishte mik i familjes Sallaku.

Në atë vend ku ishte 25 vjeçarja do të ishte e vështirë të shpëtonim edhe ne që jemi trajnuar, pasi rrjedhja e ujit është shumë e fortë. Vëllain e saj e gjetëm të kapur pas një shkëmbi.

Guidat turistike nuk duhet ti fusin turistët brenda kanionit, kur koha nuk është e mirë, do mblidhet shtabi i emergjencave, për të parë si do të veprohet më tej, për lejimin e turistëve që të hyjnë brenda kanionit.

Kur lumi vjen ka shumë forcë dhe nuk do të hynin në punë as jelekë e shpëtimit. Nuk duhet të lejohen në mënyrë absolute që fëmijët e vegjël të merren brenda në kanion.

Problemi qëndron jo vetëm te guidat, por edhe te vetë familjarët që vijnë me mjete personale dhe frekuentojnë këtë pikë turistike”, u shpreh Llapushi.

Desantila Sallaku së bashku me familjen e saj kishte planifikuar këtë fundjavë pushimi, pak para se të nisej drejt Gjermanisë, ku do të punonte si infermiere, plan ky i lënë në mes nga ngjarja tragjike e ndodhur.