AKTUALITET, 27 Nëntor 2017, 20:04

Vdes në moshën 40-vjeçare gazetari i njohur italian, ja çfarë bëri për shqiptarët

Vdes në moshën 40-vjeçare gazetari i njohur italian, ja

Alessandro Leogranden e njoha nëpërmjet librit të tij. Lexova te “Corriere” për të. Pastaj bleva menjëherë librin. Në fund më erdhi keq, që nuk e kisha shkruar unë atë libër.

Ia sugjerova Arlinda Dudajt dhe ndërkaq në bashkëpunim me Irida Camin në Romë, u realizua kjo intervistë. Mandej e kam intervistuar sërish e sërish.

Falë tij, njoha Ermalin, një djalë prej të mbijetuarve nga tragjedia e Otrantos. Ai shpëtoi, ndërsa nëna iu mbyt. Intervista me Ermalin më ridimensionoi. Dhe i faleminderit atij portreti të trishtuar që i mbijetoi detit, ndonëse ende lufton me ndjenjën e fajit të pakryer.

Sot, kur Arlinda më telefonoi të më thotë që Leogrande vdiq, në moshën 40 vjeçare, pa asnjë shpjegim a sëmundje, më duket kaq e pamundur, sa e padrejtë dhe e pabesueshme.

Ajo që besoj e kujtoj janë vetëm faqet e një libri të shkëlqyer, shkruar për shqiptarët e Vlorës sime dhe Otrantos së tij, është vetëm portreti i mirë i atij gazetari të shkëlqyer italian që e kishte parë Shqipërinë nga bregu tjetër dhe nuk rreshti asnjë çast së shkruari për emigrantët, të varfrit, të dobëtit, të pamundurit. Sepse qe i ndershëm, i majtë dhe profesionist.

Tani nuk është më. Jetoi vetëm 40 vjet që ia vlejnë të tregohen.

Lamtumirë Alessandro! Por them me fjalët e Savianos: “Lamtumirë mik, që kishe guximin të indinjoheshe duke mbetur i mirë.

Këtë botë muti, ti vërtet e ke ndryshuar, sepse me fjalët e tua, ke ndikuar tek ata si unë, që të kanë dëgjuar, lexuar dhe dashur”.

 

Kateri i Radës, Titaniku i shqiptarëve

Kur ka ndodhur mbytja e Katerit i Radës ju keni qenë shumë i ri. Si shpjegohet që ju ka mbetur kaq shumë në mendje kjo ngjarje, aq sa të shkruani një libër?

Ka qenë një ngjarje që ka shënuar një pikë ndarëse, ashtu siç ka qenë edhe mbërritja e anijes Vlora. Unë jam nga Puglia. Atë verë isha në Taranto dhe e kujtoj në mënyrë perfektë mbërritjen e shqiptarëve me anijen Vlora. Qe një fakt epokal. Besoj se për ne ai ka përfaqësuar rënien e murit të Berlinit. Madje mund të them se qe më i rëndësishëm se rënia e Murit, e rënies së perdes së hekurt që ndante Evropën. Por njëkohësisht ishte edhe fillimi i një epoke të re, që shënoi fillimin e lidhjes jo vetëm me Lindjen më të afërt, që përfaqësonte Shqipërinë, por edhe me Lindjen disi më të largët që ndodhej pas Shqipërisë. Ai qe fillimi jo vetëm i ringjalljes së marrëdhënieve në Adriatik, por edhe fillimi i udhëtimeve të emigrantëve drejt Italisë. Të paktën për një dhjetëvjeçar Vlora qe porti kryesor i imbarkimit për të gjithë botën dhe bregu mes Otrantos dhe Brindisit ishte pika kryesore e hyrjes në Itali dhe Evropë. Më parë shqiptarët, pastaj kosovarët edhe shumë njerëz nga Azia më e largët janë nisur nga Vlora. Kurse mbytja e Katerit të Radës, në rrethanat e një gjendjeje dramatike të revoltës e të luftës civile të vitit 1997 në Shqipëri, shënon një lloj linje ndarëse, sepse Italia e vitit 1997 ishte ndryshe nga Italia e vitit 1991. Është një Itali që fillon të shohë me keqdashje, që fillon ta shohë emigracionin si një kërcënim, si mbërritja e subjekteve të panjohura nga jashtë. Në ato muaj ka pasur një fushatë në shtyp kundër shqiptarëve, një fushatë që mund të cilësohet si rasti i parë i racizmit gazetaresk dhe institucional i bërë nga Italia. Në atë kohë dëgjuam deklarata e fjalë që s’dëgjoheshin prej 60 vjetësh në Itali. E pikërisht në këtë kontekst ndodhi mbytja e Katerit të Radës. Është një ngjarje që shënon një vijë ndarëse, sepse për herë të parë kemi një mbytje të këtyre përmasave në detin Mesdhe. Një mbytje që nuk është një ngjarje natyrore, siç mund të ketë qenë në raste të tjera edhe gjatë vitit të fundit. Ajo mbytje qe fryt i politikave të përzënies dhe i një marrëveshjeje “për luftimin e flukseve emigruese”.

Sipas jush, ngjarja e Kater të Radës e ka dëmtuar lidhjen mes dy vendeve ?

Sipas meje po. Megjithëse historianë apo politikanë në Itali apo Shqipëri, sot do e mohonin prerë, duke thënë se Italia ka pasur një qëndrim pozitiv, që shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve janë shtuar, që Italia me operacionin Alba ka luajtur një rol pozitiv, pra megjithëse e di që mbështesin këtë tezë, unë si vëzhgues i çështjeve shqiptare e italiane, them se diçka është thyer mes nesh. Ndjenjat njëkahëshe ndaj Italisë, që përfaqësonte vendin e mirëqenies, këto ndjenja sipas meje janë krisur. Unë kam përshtypjen se në 1997 ka pasur një krisje, që mbytja e Katerit të Radës ishte maja e ajsbergut të kësaj frakture dhe që atëherë shqiptarët kanë filluar jo vetëm ta shohin Italinë në mënyrë më kritike, por kanë filluar të shohin edhe gjetkë, në vende të tjera të Evropës Perëndimore apo drejt Shteteve të Bashkuara si mundësi të tjera jete. Them se jo vetëm që në atë rast ka ndodhur një thyerje, por që vetë politika e jashtme italiane ka bërë pak autokritikë dhe ka reflektuar pak mbi këto elementë./Mars 2012/dritare.net