AKTUALITET, 30 Qershor 2018, 16:32

Vdekja e shoferit të Xhafajt, shtohet misteri për orën e ngjarjes dhe numrin e gëzhojave

Vdekja e shoferit të Xhafajt, shtohet misteri për orën e ngjarjes

Ndonëse zyrtarisht Prokuroria dhe Policia flasin për vetëvrasje, vdekja e shoferit të Fatmir Xhafës vazhdon të jetë e rrethuar me mister.

Në njoftimin për media thuhej se në vendin u ngjarjes u gjetën 3 gëzhoja të armës automatike tip ‘MP5’, e cila ishte arma e shërbimit të gardistit. Por burime të Lapsi.al thonë se numri i gëzhojave ka qenë më i madh.

Shkëlzen Qordja e ka pasur automatikun në opsionin me breshëri dhe me një të shkrehur zbrazen të gjithë fishekët. ‘MP5’ është një armë që lëshon plumba me shpejtësi shumë  të madhe. Gjurmë plumbash janë gjetur edhe në tavanin e garazhit.

Edhe pse zyrtarisht është mohuar nga prokuroria dhe policia, burimet e Lapsi.al tregojnë se 31-vjeçari ishte i pezulluar nga puna. Nga ana tjetër saktësohet se orari i ngjarjes së rëndë ishte 6 e mëngjesit, jo 09:30 sikundër thuhet në njoftim.