AKTUALITET, 6 Korrik 2018, 16:18

“Vajza u rrëmbye”, flet 17-vjeçarja: Ika me Edin, nuk më morën. Familjarët: I hoqën fëmijën

Ndonëse prindërit e denoncuar si të rrëmbyer nga burri i hallës, 17-vjeçarja nga Gjirokastra thotë se ka ikur me djalin që donte. Ndonëse nuk di mirë gjuhën shqipe pasi flet vetëm gjuhën e komunitetit rom, vajza thotë se ka ikur me dëshirë tek Edi, burri i saj. Ndërkohë që policia nuk shkoi në Levan për të miturën, gazetari i ‘News24’ Elvis Kuçi takoi dhe bisedoi me 17-vjeçaren, e cila para kamerës mohon të jetë rrëmbyer.

Ajo shprehet se po qëndron në Levan me dëshirën e saj. “Jo nuk më kanë rrëmbyer. Mora Edin, erdha tek burri. Prindërit më kanë kërkuar. Por s’doja të kthehesha se mora burrin. Do qëndrojë tek burri. Dua të rri me Edin. Babai më martoi me zor me një burrë tjetër, më çoi në Sarandë, ai më hoqi fëmijën. S’dua të flas me babain as nuk dua të iki”, tha vajza. Po kështu të afërmit e djalit thonë se vajza ishte martuar me zor nga prindërit, që madje i kishin hequr dhe fëmijën 4 muajsh.

“E mori me pahir”, flasin prindërit e 17 vjeçares: E rrëmbeu burri i hallës, ai u arrestua, por vajza…

Historia e familjes Dalipi në Gjirokastër, mund të quhet pa frikë një histori e denjë telenovelash.

famlilj-adalibaj-vajza-rrembehet-nga-burri-i-halles

Vajza e tyre e mitur, vetëm 17 vjeç është rrëmbyer dy herë brenda tetë muajve, ndërsa policia ende nuk e ka sjellë në banesën e prindërve. Absurdi i të gjithë kësaj historie qëndron në faktin se rrëmbyesi i saj është i afërm i tyre.

Shpëtim Muharremi u ndalua dje nga uniformat blu. Ai është burri i hallës së vajzës së mitur me inicialet A.D., por autori ka dy gra.

“Ka 8 muaj, erdhi në shtëpi ai burri i motrës, me gruan tjetër në shtëpinë time. Një ditë më pas e morën çupën e futën në makinë e çuan në Levan. E mora para dy muajsh e solla në shtëpi vajzën me polici. Para dy muajsh ma mori prapë vajzën në Sarandë, e mori te rruga. Shkova e denoncova në policinë e Sarandës. Tani u kap Shpëtimi është këtu në Gjirokastër. Vajza në Levan nuk erdhi”, tregoi babai i adoleshentes Skënder Dalipi.

Ndërkaq nëna e vajzës thotë se e morën me forcë dhe se do që vajza të vijë në shtëpi.

“E mori me pahir ai, tani e mori prapë, çfarë të bëjmë ne policia nuk merr masë. Do ta sjellin tani thanë, ata nuk e sjellin na gënjejnë kot policia”, tha ajo.

Muharremi ka deklaruar se vajzën e ka marrë si nuse për të birin. Por prindërit e 17-vjeçares ngrenë dyshime të forta mbi arsyet e vërteta të rrëmbimit të saj.

“Burri i motrës ka dy gra, kam frikë mos e ka marrë për rrugë vajzën? Unë kam 6 fëmijë, nuk mendon policia fare. Unë pres të vije çupa, prit-prit. Ai Muharremi ma mori vajzën për ta martuar me djalin e tij që është budalla, është i metë nga mendja, merr lekë nga bashkia”, tha babai i 17-vjeçares.

E ndërsa 40-vjeçari pret të gjykohet, nga gjykata e Gjirokastrës nuk ka asnjë sinjal për kthimin e vajzës pasi siç thonë prindërit, familja e kunatit nuk pranon ta kthejë

“I marr në telefon me shajnë”, thotë ai.

Pavarësisht “odisesë” së kësaj ngjarjeje, e gjithë historia është mbajtur e fshehtë nga policia e cila ka bërë të ditur vetëm ditën e djeshme ndalimin e rrëmbyesit duke mos shtuar asnjë detaj tjetër për këtë ngjarje.

Prindërit e 17-vjeçares akuzojnë policinë për neglizhencë të veprimeve. Ndonëse ata kanë bërë denoncim në polici në dhjetor të vitit të kaluar, për rrëmbimin e vajzës së tyre, uniformave blu u është dashur 7 muaj kohë që të ndalojnë rrëmbyesin, ndërsa prindërit presin ende kthimin e së bijës në shtëpi.

BW

http://www.balkanweb.com/site/e-rrembeu-burri-i-halles-17-vjecaren-nuk-e-kthejne-ne-shtepi-edhe-pas-arrestimit-te-autorit-video/