AKTUALITET, 9 Nëntor 2020, 11:34

“Aktakuzën e kam marrë", Jakup Krasniqi del para gjykatës së Hagës

“Aktakuzën e kam marrë", Jakup Krasniqi del para


Ish kreu i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka dalë para trupës gjykuese në Hagë.

Krasniqi është paraqitur për herë të parë para Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale.

Ish-kreu i Kuvendit u pyet nga trupa gjykuese nëse e ka marrë aktakuzën.

“Aktakuzën e kam marrë, një pjesë të saj në 4 nëntor, por edhe në Hagë kemi marrë një variant të përmirësuar të aktakuzës. Është në gjuhën shqipe, e ka kuptuar dhe lexuar mirë”, tha ai.

Në paraqitjen e parë, Krasniqi ka të drejtë ta zgjedhë një avokat mbrojtës ose kjo t’i caktohet nga Specialja. Në këtë paraqitje, atij i lexohen akuzat dhe informohet se brenda 30 ditësh duhet ta deklarojë fajësinë apo pafajësinë në lidhje me to. Ai mund të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë qysh në paraqitjen e parë.

Të mërkurën, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Kujtojmë se në orën 15:00 të ditës së sotme para trupës gjykuese do të dalë ish-presidenti Thaçi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.