AKTUALITET, 2 Gusht 2020, 18:22

U vra në krye të detyrës/ Meta përkujton Kolonelin Arben Zylyftari: Lufta kundër banditëve të lidhur me politikën, thelbësor për…

U vra në krye të detyrës/ Meta përkujton Kolonelin Arben


Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot Kolonelin Arben Zylyftarin, i cili u nda nga jeta në krye të detyrës 20 vite më parë.

Me një shënim në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit shkruan se është “me rëndësi jetike” që Policia e Shtetit të jetë shembulli i respektimit të ligjit, duke u distancuar nga lidhjet me krimin, politikën dhe praktikat arbitrare.

“Lufta kundër drogës dhe banditëve të lidhur me politikën është kusht thelbësor për integrimin europian, dhe çdo neglizhencë do të ketë pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit!”, shkruan mes të tjerash Meta.

Postimi i plotë:

Sot nderojmë me vlerësim, mirënjohje e respekt të thellë kujtimin, veprën dhe sakrificën sublime të Dëshmorit të Atdheut, Kolonel Arben Zylyftarit, i cili ra në krye të detyrës 20 vite më parë në luftë me krimin.

Dita e sotme na risjell në vëmendje qindra Dëshmorë të Policisë së Shtetit, që të udhëhequr nga ndershmëria, përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë qytetare e shtetërore, sakrifikuan jetën e tyre për mbrojtjen e rendit, qetësisë e sigurisë publike, por edhe të vlerave e parimeve që duhet të udhëheqin cilindo që mban veshur uniformën e shtetit.

Është me rëndësi jetike që Policia e Shtetit të jetë shembulli i respektimit të ligjit për t’u shërbyer me nder, përkushtim e dinjitet qytetarëve, duke u distancuar nga lidhjet me krimin, politikën dhe praktikat arbitrare.

Lufta kundër drogës dhe banditëve të lidhur me politikën është kusht thelbësor për integrimin europian, dhe çdo neglizhencë do të ketë pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit!

Gjaku i Dëshmorëve të Atdheut, nuk do të bëhet ujë dhe mbarë populli shqiptar do t’i kujtojë përherë me krenari e respekt Heronjtë e tij!