TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
SHBA- Ndërkohë që vijon numërimi i votave në garën presidenciale, për shtetet kyçe që do të vendosin zgjedhjet dhe duket se Biden është më pranë fitores, presidenti Donald Trump ka dalë në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë dhe ka deklaruar se ai i ka fituar zgjedhjet, por se ato po manipulohen.
Trump tha se nëse numërohen votat “e ligjshme” atëherë ai është fitues, por se tani po numërohen “votat e paligjshme".
Presidenti vijoi me deklaratat e praprecedenta, që vënë në dyshim integritetin e zgjedhjeve në SHBA, duke thënë se sistemi është i korruptuar.
Këto deklarata nuk janë bërë nga asnjë kandidat për president në të shkuarën dhe analistët vlerësojnë se e kanë dëmtuar imazhin e SHBA-së në botë.
Kujtojmë se Trump u vetëshpall fitues shumë herët në procesin e numërimit, por më pas nisi të deklarojë se zgjedhjet po manipuloheshin. Deklaratat e tij janë konsideruar të pabaza nga një pjesë e madhe e mediave amerikane dhe janë bllokuar në platformën e rrjeteve sociale Twitter dhe Facebook. Trump ende nuk ka paraqitur prova, për akuzat që ka artikuluar, por ka thënë se do t'u drejtohet gjykatave.
"Nëse numëroni votat ligjore, unë fitoj lehtë. Nëse numëron ato të paligjshmet, ata po mundohen të vjedhin zgjedhjet. Unë kam fituar shumë vende kritike, si Florida, Iowa, Indiana. I kemi fituar edhe pse ka patur ndërhyerje me para, media dhe teknologji. Ne po fitonim thellë, por më pas numrat tanë ranë në mënyrë të çuditshme", deklaroi Trump.
Përveçse e shpalli veten fitues, Trump shpalli edhe sistemin të korruptuar.
"Ky është një sistem i korruptuar, sistemi i bën të korruptuar njerëzit, kërkojnë aq vota sa i duhen dhe i gjejnë. Nuk do të lejojmë korrupsionin të vjedhë zgjedhje kaq të rëndësishme", tha ai.
/TPZ.al/