AKTUALITET, 5 Nëntor 2020, 20:25

Veliaj pozon pa maskë tek fabrika e sallamit, policia nuk i vë gjobë si Kryemadhit!


Kryebashkiaku Veliaj ka pozuar me pjesëtarët e një biznesi mishi dhe nënprodukteve të tij. I apasionuar pas fotografisë dhe reklamës, Veliaj e ka hequr maskën, megjithëse duhet ta mbajë atë, sipas protokollit. Të mos harrojmë se kryebashkiaku është person që e ka kaluar njëherë koronavirusin dhe mund të infektohet sërish, madje pa simptoma. Ai është një rrezik për të tjerët.

“Sot ai dhe vëllai i tij punësojnë 21 vetë, që mbajnë gjallë një biznes të ndershëm me produktet e nënproduktet e mishit dhe qumështit. Të lumtë, i thotë Veliaj në një postim në Facebook, miq si ty janë krenaria e qytetit dhe duhen vlerësuar për gjithçka bëjnë”.

Të hedhura në FB, fotot janë një reklamë e keqe, jo vetëm për aktin normativ të qeverisë që detyron mbajtjen e maskës, por edhe për këtë biznes, që mund të bëhet objekt gjobash, nga inspektoriatet dhe policia, sepse ka shkelur protokollin .

Megjithëse, kjo ka mundësi të vogla të ndodhë, sepse policia i vë gjobë vetëm qytetarëve të thjeshtë dhe politikanëve të opozitës. Policia i ka vënë dy herë gjobë Monika Kryemadhit, shoqëroi në komisariat aktivistë të shoqërisë civile që mbrojtën teatrin, vetëm se nuk kishin vënë maskën në rrugë. Edhe deputetët kanë marrë gjoba, por Veliaj jo. Me këtë rast i bëjmë një sugjerim Policisë, të vendosë gjobën për kryebashkiakun bazuar në këto foto pa maskë, njësoj siç merr gjobë shoferi kur e kapin kamerat, nëse kalon semaforin me të kuqe.

/TPZ.al/