TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti amerikan Donald Trump raportohet se dëshiron zëvendëspresidentin JD Vance si një kandidat të mundshëm për ta pasuar në garën presidenciale të vitit 2028, sipas një raportimi të ri.
“The Washington Post’ raporton se Trump e ka promovuar së fundmi kandidaturën e Vance gjatë një takimi privat me donatorë në Zyrën Ovale.
“Në fund të fundit, ne duhet të zgjedhim JD-në”, mësohet të ketë thënë Trump gjatë takimit, sipas dy personave të njohur me diskutimin.
Deri tani, Trump nuk ka dhënë publikisht mbështetje zyrtare për ndonjë kandidat për zgjedhjet e vitit 2028. Ai ka përmendur si Vance ashtu edhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ndërsa herë pas here ka bërë edhe komente me shaka për një mandat të tretë presidencial.
Sipas një raportimi të mëparshëm, Trump është bërë më i hapur ndaj mundësisë së një kandidature të Vance, duke u ndikuar nga paraqitjet e fundit publike të zëvendëspresidentit dhe ndryshimi në imazhin e tij.
Megjithatë, disa persona pranë Trumpit thonë se është ende herët për të arritur në përfundimin se presidenti ka marrë një vendim përfundimtar.
“Kushdo që mendon se kjo çështje është mbyllur përfundimisht, ose po e ekzagjeron, ose nuk e njeh mirë presidentin”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Sipas të njëjtit burim, Trump ka diskutuar privatisht edhe për mundësinë e një gare mes Vance dhe Rubio. Zyrtari pretendon se gjatë një udhëtimi me Marine One muajin e kaluar, presidenti ka kërkuar mendime nga bashkëpunëtorët e tij rreth përballjes së mundshme mes dy republikanëve.
Edhe gjashtë këshilltarë të tjerë nga rrethi politik i Trumpit kanë paralajmëruar se është ende shumë herët për të thënë se kush do të ketë mbështetjen përfundimtare të presidentit në vitin 2028.
Një këshilltar i Trumpit tha se presidenti “e ka vendosur privatisht që Vance do të jetë trashëgimtari i Partisë Republikane”, por shtoi se mbetet e paqartë nëse kjo do të përkthehet në një mbështetje zyrtare gjatë fushatës.
I njëjti këshilltar tha se Trump do të dëshironte ta shihte edhe Rubion në garë me Vance, ndërsa nuk dihet nëse Rubio do të ishte i interesuar për një rol si kandidat për nënpresident në një biletë të drejtuar nga Vance në vitin 2028.