BOTA, 6 August 2026, 16:46

U shtirën si punonjës të një kompanie sigurie dhe mashtruan një çift pensionistësh në Francë, autorët vjedhin ar dhe bizhuteri me vlerë 1.1 milionë euro

Një çift pensionistësh në Lainville-en-Vexin, një fshat me rreth 800 banorë në departamentin Yvelines të Francës, ra viktimë e një mashtrimi të sofistikuar, duke humbur pasuri me vlerë rreth 1.1 milion euro. 

Ngjarja nisi më 31 korrik, kur të moshuarit morën një telefonatë nga një person që u prezantua si punonjës i një kompanie sigurie. Ai u tha se të dhënat e tyre personale ishin komprometuar pas një rrjedhjeje informacioni dhe u kërkoi të mos dilnin nga shtëpia. Për ta bërë historinë më bindëse, mashtruesi i udhëzoi edhe të plotësonin një kallëzim paraprak.

Sipas mediave franceze, dy ditë më vonë autorët kaluan në fazën e dytë të planit. Me pretekstin e një procedure sigurie, ata e nxorën burrin nga shtëpia, duke e marrë me makinë.

Në të njëjtën kohë, gruaja mori një tjetër telefonatë nga një person që gjithashtu u prezantua si punonjës i kompanisë së sigurisë. Pasi mësoi se familja kishte një kasafortë, ai e pyeti se çfarë përmbante dhe e bindi se, për arsye sigurie, të gjitha sendet me vlerë duhej të transferoheshin përkohësisht në një vend të sigurt.

Pensionistja vendosi në një çantë 5 500 euro para në dorë, paund ari, shufra ari dhe bizhuteri, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 1.1 milion eurosh, dhe ia dorëzoi një burri që u paraqit në banesë si korrier.

Vetëm pak më vonë, çifti kuptoi se kishte rënë pre e mashtrimit dhe njoftoi menjëherë autoritetet, duke bërë kallëzim në polici.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që autorët t’i kenë identifikuar viktimat përmes një rrjedhjeje të të dhënave personale. Në muajt e fundit, disa kompani franceze që merren me blerjen dhe shitjen e arit kanë qenë objekt i sulmeve kibernetike.

Autorët e mashtrimit mbeten ende në kërkim, ndërsa autoritetet franceze po hetojnë nëse ata janë të përfshirë edhe në raste të tjera mashtrimi që kanë në shënjestër pronarët e arit dhe sendeve me vlerë.