TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Arbër Zaimi*
Dikush argumenton: meqenëse kufiri mes Kosovës e Serbisë është rezultat i disa padrejtësive historike dhe i disa planeve shoviniste, atëherë pse të mos përkrahet iniciativa e H. Thaçit për t’i ndryshuar kufijtë, apo siç e quan ai, për t’i “korrigjuar kufijtë”?
Arsyet pse duhet të kundërshtohet kjo nismë janë këto:
1. H. Thaçi vazhdimisht është dëshmuar si humbës në tryeza negociatash dhe përgjithësisht në diplomaci. Ai ka mbërritur që t’i kthejë pikat e forta në pika të dobëta (psh. çarmatosja e UÇK-së, pranimi dhe stabilizimi i moskontrollit të veriut dhe integrimi i strukturave kriminale paralele në administratën e Kosovës, apo edhe mënyra se si prej vendimit të favorshëm të GjND-së e nxori fusnotën damkosëse për Kosovën). Pse është Thaçi dështak i diplomacisë nuk shpjegohet prej injorancës së tij, në fakt ai paguan tufa këshilltarësh e ekspertësh me diploma të shquara. Por ambalazhi, sado i bukur, nuk mund ta shesë mallin e keq. Problemi është se ambicia e pafre për pushtet dhe korruptimi e krime të tjera të lidhura me të, e bëjnë Thaçin në fund të shantazhueshëm. Shantazhit ai shpesh i përgjigjet me lëshime në shpinë të Kosovës, me kusht që të marrë “garanci” për pushtetin e vet. Kur këto garanci mungojnë, i shantazhuari bëhet shantazhues dhe lëshohet në aventura, të cilat përpiqet t’i shesë si patriotizma.
Shkurt, Thaçi është i paaftë si negociator për arsye kontingjente dhe pa kredibilitet për arsye personale.
2.Thaçi po paraqitet se po e arrin marrëveshjen me Vuçiqin në mënyrë gati bilaterale, por Kosova (edhe për faj të Thaçit) nuk ka mbërritur aspak të ndërtojë kapacitete institucionale, ushtarake apo ekonomike që të sigurojë ushtrimin e pushteteve në territorin e vet. Kjo gjë e bën peshën specifike të Kosovës në marrëdhënie bilaterale, thuajse të pakonsiderueshme. Parë në këtë këndvështrim, edhe nëse marrëdhëniet konsiderohen si multilaterale, gjithnjë peshorja rëndon në anën e kundërt të Kosovës. Skandalet e mëdha të korrupsionit, lidhja e fortë e klasës politike me krimin, shkatërrimi e vjedhja e shërbimeve publike, përdorimi i luftës dhe i narrativave historike për të justifikuar kapjen e pushtetit, të gjitha këto e kanë sjellë Kosovën në një moment të pavolitshëm sa i përket opinionit ndërkombëtar, edhe pse me idiotësi e me hajni, janë shpenzuar miliona në reklama për “imazh ndërkombëtar” të Kosovës.
Shkurt, Kosova duhet këndellur, duhet të rrisë peshën e saj specifike, para se të hyjë në procese të tilla, e kjo mëkëmbje nuk mund të vijë nga Thaçi e nga të tjerët si ai që e kanë përgjunjur Kosovën pa çarë kokën për asgjë.
3.Marrëveshja mes Vuçiqit e Thaçit, në kushtet ku pesha specifike e Kosovës është shumë e vogël, do të kërkonte ndërhyrje nga palë të treta për të garantuar që rezultati i saj do të ishte “korrigjim i padrejtësive” e jo thellim i tyre. Por palët e treta që tradicionalisht kanë shërbyer si mbështetje për shqiptarët, janë në mes të një paqartësie sa i përket Ballkanit Perëndimor. Rritja e peshës ekonomike të Kinës dhe konfigurimi i një lufte tregtare globale, mund ta shtyjë ShBA-në në marrëdhënie më të mira me Rusinë, për ta shkëputur atë prej Kinës. Bashkimi Evropian është i kapluar prej krizës nga e cila më shumë po përfitojnë të djathtët ksenofobë dhe eurofobë, të cilët kanë (së paku) simpati për regjimin rus. NATO-ja, pavarësisht euforisë së kuptueshme për planin për bazën në Kuçovë, ka problemet e veta, të shprehura publikisht edhe nga sekretari i saj i përgjithshëm, i cili nuk e fsheh më një lloj pasigurie në të ardhmen e aleancës. Acarimi i marrëdhënieve të Turqisë me ShBA-të po ashtu prodhon “valë sizmike” që ndihen shumë në këtë anë të botës. Vëmendja e mbështetja për shqiptarët e për Kosovën prej kohësh nuk është prioritare në agjendat e partnerëve tradicionalë. Dikur, kur kjo vëmendje e kjo mbështetje ishte maksimale, udhëheqësit si Hashim Thaçi etj. e keqpërdorën për të legjitimuar ambiciet e veta për pasuri e pushtet, por jo për të realizuar ndonjë agjendë kombëtare.
Shkurt, në kushte të tilla ndërkombëtare, hapja e çështjes së kufijve më shumë ngjan si kapitullim, si dorëzim ndaj presioneve e ndaj kërcënimeve, se sa ndonjë marrëveshje nga e cila fiton Kosova, apo fitojnë të dyja palët.
Kapitullimi i Thaçit (që ai përpiqet ta bëjë kapitullim të Kosovës), mund të shfaqet në dy forma. Si dorëzim direkt i territorit në veri, ku gjenden burime të rëndësishme madje jetike për Kosovën - liqeni i Ujmanit e galeritë e Trepçës; por edhe si pranim i “Zajednicës” përmes një operacioni të frikësimit të opinionit publik prej Thaçit dhe Vuçiqit. Kjo e dyta do ta çonte Kosovën drejt rrugës së Bosnjës, në një shtet jo-funksional me të ardhme gjithnjë të kërcënuar e të pasigurt. Përveç kësaj, të dyja format e kapitullimit nënkuptojnë tension dhe pasiguri të mëdha për fshatrat shqiptare në komunat veriore të Kosovës, e po ashtu edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
* autori është anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Artikulli është shkruar enkas për TPZ.AL