AKTUALITET, 10 Korrik 2018, 08:46

Treni del nga shinat pranë Rrogozhinës, tmerrohen udhëtarët: Vagonët u ndanë më dysh

Një incident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të Rrogozhinës. Sipas raportimeve treni i linjës Elbasan-Durrës ka dalë nga shinat pranë stacionit hekurudhor.

Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar dhe as dëmtim të vagonëve dhe lokomotivës. Dalja e trenit ka shkaktuar panik e kaos tek udhëtarët pasi vagonët janë ndarë. Një pjesë ka dalë nga shinat, ndërsa pjesa tjetër ka qëndruar në trasenë hekurudhore.

Udhëtarët kanë pohuar se kanë kaluar minuta tmerri, teksa vagonët lëviznin në mënyrë të pavullnetshme.

“Ndjemë lëvizjen e fortë. U tronditëm, s’po kuptonim çfarë po ndodhte. Vagonët u ndanë”, kanë thënë udhëtarët, ndërsa kanë treguar se kanë qenë rreth 100 njerëz në tren. Mes tyre, ka pasur edhe disa turistë të huaj.