AKTUALITET, 9 Korrik 2018, 22:24

Blerim Xhemaili: Po të shënoja kundër Serbisë nuk do festoja me “shqiponjë”

Blerim Xhemaili: Po të shënoja kundër Serbisë nuk do festoja

Futbollisti shqiptar që luan për Kombëtaren e Zvicrës, Blerim Xhemaili, ka rrëfyer për Report TV, të gjitha presionet më të cilat janë përballuar përpara ndeshjes me Serbinë në fazën e grupeve të Botërorit.

Helvetët fituan atë ndeshje me shifrat 2-1 dhe golat u shënuan nga shqiptarët e tjerë, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka të cilët festuan me “shqiponjë”.

Xhemaili thotë se po të shënonte vetë, nuk do të bënte të njëjtin gjest, por të festonte me shkronjën “L”, germën e parë të emrit të djalit të tij, Luan, nga lidhja me modelen Erjona Sulejmani.

“Mendoj se ajo ka qenë spontante dhe jo e paramenduar. Unë e festoj golin çdo herë me “L”-në e djalit tim. Po të kisha shënuar kundër Serbisë, do kisha festuar me “L”-në e djalit tim. Djali im ka më shumë rëndësi për mua se gjërat politike” – thotë Xhemaili.

Ai rrëfen edhe prsionin para ndeshjes me Serbinë.

“Ndeshja kundër Serbisë ka qenë speciale për ne. Kemi qenë 4 shqiptarë që luanim për Zvicrën. Kemi hyrë në fushë me idenë që të fitonim ndeshjen dhe jo me frymë politike. Para lojës ka pasur plot provokime prej serbëve, por i harruam ato. Kishim në kokat tona vetëm ndeshjen, donim ta fitonim atë ndeshje. Ka qenë me shumë rëndësi ta fitonim dhe e fituam. Sigurisht i kemi bërë krenarë shqiptarët për golat e shënuar, por e rëndësishme është të fitonim” – thotë futbollisti.