AKTUALITET, 27 Dhjetor 2019, 23:09

Siti bën "vetvrasje", në Angli merr fund lufta për titull

Siti bën "vetvrasje", në Angli merr fund lufta për

Te Liverpuli mund të fillojnë që tani të mendojnë për festën e titullit kampion, pasi pas javës së 19-të që shënon fundin e gjysmës së sezonit në Angli, është e qartë që askush nuk mundet të mbajë ritmin e çmendur të skuadrës së Klop. Sinjalin sot e dha edhe Mançester Siti i cili u mposht 3-2 në një ndeshje të pabesueshme përballë Ullvërhempton dhe e sheh veten 14 pikë larg të kuqve, me një ndeshje më shumë të luajtur se ata.

Ndeshja filloi si mos më keq për Sitin, që mbeti me dhjetë lojtarë pasi Ederson u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të gabuar pas një dalje nga zona e rreptësisë. Megjithatë, Sterling shënoi pas një penalltie të gabuar dy herë (një ia ktheu VAR), ndërsa përfitoi nga grushtimi i portierit për të çuar sferën në rrjetë. Sulmuesi anglez shënoi edhe në fillimin e pjesës së dytë dhe mendohej se ndeshja ishte e mbyllur. Por, në atë moment filloi shkëlqimi i Adama Traore te ekipi vendas.

Futbollisti 23-vjeçar shënoi me një predhë nga jashtë zonës duke shkurtuar diferencën dhe në çdo moment vinte në vështirësi prapavijën e Sitit. Ai me forcë nxori edhe golin e barazimit në minutën e 82-të, kur i mori topin Mendi dhe i dha asistin Himenez që të çonte rezultatin në 2-2. Por Ullvërhempton nuk u ndal dhe në minutën e 90-të gjeti golin e fitores, këtë herë me Doherti i cili gjeti korridorin e duhur për të dërguar një gjuajtje nga jashtë zonës në rrjetë.

Tre pikë për Ullvërhempton që e sheh veten mes kandidatëve për Champions, ndërsa për Sitin është e qartë se këtë vit duhet të përqendrohet te trofetë e tjerë, pasi kampionati duket që tani i përfunduar.