BALLKAN, 29 July 2026, 21:38

Tragjike në Greqi/ Zjarret marrin jetën e tre zjarrfikësve, njëri prej tyre humb jetën nga ataku kardiak pas lodhjes ekstreme

Tre zjarrfikës kanë humbur jetën në dy episode të ndryshme të regjistruara të mërkurën në Greqi, ndërsa vendi vijon të përballet me zjarre të fuqishme në disa zona.

Sipas Shërbimit Zjarrfikës grek, dy anëtarë të forcave zjarrfikëse të Kretës, 25 dhe 58 vjeç, humbën jetën në zonën e Rethymnos, gjatë përpjekjeve për të vënë nën kontroll flakët.

Sipas të dhënave paraprake, dy zjarrfikësit po operonin në një zonë të izoluar kur u rrethuan nga zjarri dhe nuk mundën të shpëtonin. Më vonë, policia gjeti edhe automjetin e tyre tërësisht të djegur.

Dy zjarrfikës të tjerë pësuan dëmtime të rënda dhe ndodhen në spital, por sipas autoriteteve janë jashtë rrezikut për jetën.

Viktima e tretë u shënua në zjarrin e madh në zonën e Gjithios, në Peloponez.

Ai ishte shefi i zyrës rajonale të zjarrfikësve në Lakoni. Sipas policisë greke, zjarrfikësi 30-vjeçar humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak, të shkaktuar nga lodhja dhe stresi i lartë fizik gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit, i cili prej 24 orësh kishte përfshirë qindra hektarë tokë.

Ndërkohë, beteja me flakët vijon me intensitet në Peloponez, ishullin Paros, Mitilini dhe Kretë, ku zjarri është përhapur në një front prej më shumë se 15 kilometrash mes Rethymnos dhe Hanias.

Në terren po punojnë qindra zjarrfikës dhe vullnetarë, ndërsa kushtet atmosferike mbeten jashtëzakonisht të vështira, me temperatura që arrijnë rreth 40 gradë Celsius dhe erëra deri në 8 ballë të shkallës Bofor.

Në zonën e Hanias, rreth 2 mijë turistë dhe banorë u evakuuan përmes detit me anije dhe skafe private, pasi autoritetet nuk arritën t’u siguronin një rrugë të sigurt largimi nga toka.

Situata alarmante pritet të vijojë edhe gjatë 48 orëve të ardhshme. Mbrojtja Civile greke ka paralajmëruar rrezik të lartë për zjarre në disa zona të vendit dhe u ka bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e autoriteteve në rast evakuimi.