TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një 26-vjeçar ka humbur jetën pasditen e së martës në Prishtinë, pasi një vinç është rrëzuar në vendin e tij të punës në një kantier ndërtimi.
Nga incidenti ka mbetur i lënduar edhe një punëtor tjetër, i cili ndodhej në kantier në momentin e ngjarjes.
Sipas Inspektoratit të Punës, vinçi është rrëzuar gjatë procesit të montimit, ndërsa për përcaktimin e shkakut të aksidentit do të kryhen ekspertizat përkatëse.
“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Ndërkohë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, kanë bërë të ditur nga policia.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime për familjen e 26-vjeçarit, duke theksuar se siguria në punë duhet të jetë një kusht i panegociueshëm.
Vinçi i rrëzuar në kantier është thyer gjatë rënies dhe ka përfunduar mbi çatinë e një shtëpie pranë zonës së punimeve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Pronari i banesës ka deklaruar se në momentin e incidentit nuk ndodhej asnjë person brenda shtëpisë.