BALLKAN, 28 July 2026, 20:58

Dyshime për varrezë masive në Zubin Potok, nisin gërmimet për viktimat e luftës në Kosovë

8.PNG

Autoritetet e Kosovës kanë nisur gërmimet në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, pas dyshimeve për ekzistencën e një varreze masive që lidhet me periudhën e luftës në Kosovë.

Në terren janë angazhuar ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilat kanë kryer punimet e gërmimit dhe ekzaminimet forenzike. Për arsye sigurie, në vendngjarje janë vendosur edhe ekipet e Policisë së Kosovës, ndërsa pjesë e operacionit janë edhe njësitet e EULEX-it.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se kërkesa për ndërhyrje në Kalludër është bërë në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që po udhëhiqen nga ky institucion. Sipas Prokurorisë, dy personat e ndaluar për 48 orë gjatë ditës së sotme kanë lidhje me hetimin.

“Në kuadër të këtij procesi, të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, M.J dhe M.B.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Dy të dyshuarit janë arrestuar në komunën e Zubin Potokut nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës.

Sipas dyshimeve të prokurorisë, gjatë periudhës së luftës, konkretisht në vitin 1999, ata dyshohet se kanë kryer krime ndaj popullsisë civile në rajonin e Mitrovicës, ku dyshohet se janë vrarë 23 civilë shqiptarë.

“Si rezultat i veprimeve policore, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se gjatë luftës në vitin 1999 kanë kryer krime ndaj popullatës civile, ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Autoritetet kosovare nuk kanë dhënë ende detaje të tjera lidhur me identitetin e viktimave apo rezultatet e para të gërmimeve. Megjithatë, sipas raportimeve, dyshohet se mbetjet mortore mund t’i përkasin grupit të njohur si “intelektualët e Mitrovicës”, të cilët rezultojnë të zhdukur më 19 prill 1999.