AKTUALITET, 7 Shkurt 2018, 11:28

Tiranë-Elbasan, lihen në burg tre ish-drejtorët e rrugëve

Tiranë-Elbasan, lihen në burg tre ish-drejtorët e rrugëve

Gjykata e Krimeve të Rënda dha sot masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-zyrtarët e lartë të ARRSH, të akuzuar për abuzime në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Pas shqyrtimit të provave të prokurorisë, gjykata vendosi që të lërë në burg ish-kreun e ARRSH Dashamir Gjikën, Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan si dhe Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës.

Gjika akuzohet për “korrupsion pasiv” ndërsa 2 ish zyrtarët e tjerë për “shpërdorim detyre”. Për Gjikën, kjo është masa e dytë “arrest me burg” në pak ditë, pas asaj të dhënë nga gjykata për rrugën Elbasan-Gjinar, tjetër aks rrugor që po hetohet për abuzime me fondet.

Nga ana e tyre, të akuzuarit përmes avokatëe të tyre, e kanë cilësuar të paligjshëm arrestimin, duke kërkuar lirinë.

Dëmi për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan llogaritet 54 milionë dollarë nga një auditit i Ministrisë së Energjetikës, i përfunduar në dhjetor të vitit të shkuar.

Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 USD.

Përveç kësaj, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 dollarë, me ndryshimin e kontratave.

Lidhur me shkeljet e gjetura, po verifikohet edhe puna e ish-Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto./TPZ.AL