AKTUALITET, 14 October 2026, 17:08

Tirana në flakë, protestuesit hyjnë në disa ministri (VIDEO)

Tirana në flakë, protestuesit hyjnë në disa ministri (VIDEO)

Protesta në Tiranë është shoqëruar me incidente pranë disa institucioneve shtetërore. Ngjarjet janë regjistruar fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas protestuesit janë zhvendosur drejt Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave, ku janë raportuar përplasje me policinë dhe dëmtime të godinave e pronës publike.

Pranë Ministrisë së Arsimit, protesta u shoqërua me akte dhune dhe dëmtime të pronës. Gjatë incidenteve, protestuesit e maskuar u përfshinë në përplasje, ndërsa situata u tensionua më tej në rrugët përreth institucionit.

Më pas, një grup protestuesish u zhvendos në zonën midis Ministrisë së Ekonomisë dhe Parkut Rinia, ku nisën të shkulin kangjellat përgjatë rrugës. Ata dëmtuan semaforë dhe thyen tabela reklamash, disa prej të cilave u dogjën. Gjatë lëvizjes në këtë zonë, protestuesit u drejtuan gjithashtu për në hyrje të Ministrisë së Ekonomisë, ku hodhën vazhdimisht gurë në drejtim të efektivëve të policisë. Drejt tyre u hodhën edhe fishekzjarrë, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës.

Në zonën pranë Ministrisë së Brendshme, dhjetëra forca policie krijuan një kordon sigurie. Megjithatë, gjatë marshimit drejt Parlamentit, protestuesit mbërritën në hyrje të Pedonales, ku u përballën me një kordon metalik të vendosur nga policia, të cilin e shkatërruan. Më pas, ata qëlluan me sende në drejtim të godinës së Ministrisë së Brendshme dhe thyen xhamat e saj.

Pas incidenteve pranë Ministrisë së Brendshme, protestuesit vijuan lëvizjen drejt Ministrisë së Financave, ku hynë brenda ambienteve të institucionit. Më herët, pranë kësaj godine, ata tentuan të hapnin me forcë derën kryesore, ndërsa hodhën gurë dhe fishekzjarrë. Gjatë incidenteve u dëmtuan kamerat e sigurisë dhe u thyen xhamat e dritareve. Gjithashtu, protestuesit nxorën disa mobilie nga ambientet e ministrisë.

Në zonën e Ministrisë së Financave u raportuan edhe tentativa për të dëmtuar një tjetër hyrje të godinës, ndërsa u panë flakë.

Gjatë zhvillimit të protestës, policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të përballuar situatën, ndërsa incidentet janë shoqëruar me dëmtime të pronës publike dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve.

Tirana në flakë, protestuesit hyjnë në disa ministri (VIDEO)

Tirana në flakë, protestuesit hyjnë në disa ministri (VIDEO)