TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka reaguar pas akteve të dhunës të regjistruara për të dytën ditë radhazi gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu është shprehur se studentët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin shqetësimet e tyre, ndërsa ka theksuar se dhuna dhe vandalizmi nuk i shërbejnë asnjë kauze.
Postimi i plotë:
Unë besoj se Shqipëria është e bekuar me të rinjtë që ka. Studentët e duan Shqipërinë, e duan atdheun. Nuk e djegin!
Studentët nuk kanë nevojë për suplement politik që t’i orientojë, as për kujdestarë që të flasin në emër të tyre. Ata kanë zërin, arsyet dhe të drejtën e tyre për të protestuar. Po aq sa kanë të drejtën të zgjedhin të mos protestojnë.
Shqetësimet dhe aspiratat e tyre meritojnë të dëgjohen. Por dhuna dhe vandalizmi nuk i shërbejnë asnjë kauze. Zemërimi dhe pakënaqësia nuk i përligjin. Ata që ushtrojnë dhunë verbërisht e pastaj fshihen pas studentëve, po e përdorin kauzën e tyre.
Pedagogët që kërcënojnë me ulje notash ata që nuk protestojnë, apo deputetët që kërkojnë të rishpikin veten në kurriz të dilemave dhe aspiratave legjitime të rinisë, vetëm sa e thellojnë hendekun e besimit me një brez që paragjykohet shumë dhe dëgjohet pak.
Të rinjtë meritojnë të dëgjohen dhe të vendosin vetë. Edhe kur protestojnë. Edhe kur zgjedhin të mos protestojnë.