AKTUALITET, 7 Qershor 2021, 11:27

Tensionohet protesta në Sinec, banorët përplasen me policinë, kundërshtojnë ndërtimin e ujësjellësit

Është tensionuar protesta e banorëve të Sinecit në fshatin Lumas, ku ka pasur përplasje me efektivët e policisë.

Këta të fundit u kërkuar atyre të lirojnë rrugën që kanë mbajtur të bllokuar që prej orëve të para të mëngjesit, për të mos lejuar futjen e mjeteve të firmës.

Mësohet se policia i ka shtyrë me forcë dhe janë përleshur fizikisht, pasi banorët nuk kanë pranuar të shpërndaheshin.

Nga situata e tensionuar, disa prej banorëve kanë shfaqur shqetësime shëndetësore dhe janë dërguar në spital. Disa të tjerë janë shoqëruar me forcë në Komisariatin e Policisë, ndërkohë që nga ana e policisë nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Banorët janë ngritur në protestë prej 20 ditësh dhe kanë bllokuar edhe rrugët e fshatit për të penguar mjetet e firmës kontraktuese që të vijojnë punën për ndërtimin e ujësjellësit.

Herë pas herë ka pasur përplasje me policinë, ndërsa Bashkia ka deklaruar se nuk do ta ndalojë projektin, pasi nuk është pronë e banorëve.