TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të nisë ditën e sotme operacionin për prishjen e të gjitha objekteve pa leje të cilat janë ndërtuar rreth zonave bregdetare të vendit, duke ‘zaptuar detin’.
Aksioni i IKMT nis me dy prej zonave më turistike në vend, nga Velipoja në veri deri në skajin jugor të Ksamilit, duke vijuar më pas në drejtimet respektive me prishjen e objekteve zonë pas zone.
Në zonën e Velipojës janë planifikuar të prishen rreth 15 objekte të tilla, ndërsa në Ksamil rreth 30.
Në prag të nisjes së operacionit, kryeinspektori i IKMT Ajet Zyberaj është shprehur i prerë ditën e djeshme në një prononcim për mediat se nuk do të ketë tolerime.
“Nuk do të tolerojmë asnjë shkelje ligji. Nuk do të tolerojmë asnjë që toleron shkelësit e ligjit“, është shprehur Zyberaj.
Operacioni, i paralajmëruar si prioritar nga autoritetet qeveritare do të ‘fshijë’ sot të gjitha objektet pa leje, pasi është paralajmëruar disa herë nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
Vetëm një javë më parë, kryeministri Rama ka paralajmëruar se duke nisur nga e hëna (sot) do të nisë aksioni “Bregdeti Ynë”, i cili synon prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetit.
Rama paralajmëroi të gjithë pronarët e objekteve pa leje që ti prishin, në të kundërt do të përballen me pasojat e shkeljes së ligjit, dhe nëse nuk pastrojnë inertet, do të paguajnë edhe koston e pastrimit.
Rama u shpreh se me ndryshimet ligjore në rast evidentimi të ndërtimeve pa leje rrezikon burg edhe inxhinieri, arkitekti dhe mbikëqyrësi i punimeve nëse bëhet palë me investitorin.