AKTUALITET, 29 Korrik 2019, 08:30

Tensione në Devoll, policia rrethon bashkinë. Nallbati: Jam unë në detyrë, do vazhdoj punën

Tensione në Devoll, policia rrethon bashkinë. Nallbati: Jam unë


Ashtu siç pritej, marrja e bashkive të djathta nga kandidatët që janë shpallur fitues në zgjedhjet një partiake të 30 qershorit, nuk do të jetë e lehtë.

Në Devoll, bashkia është blinduar nga forca policie.

Enton Duro, i zgjedhur në 30 qershor, ka shkuar në zyrë që në orën 6:30 minuta, për të mos lejuar ish-kryebashkiakun Bledion Nallbati që të shkonte më herët se ai.

Sapo ka hyrë në zyrë, forca policie mbajtën të rrethuar bashkinë, ndërkohë që në ambientet e jashtme ndodhet ish-kryebashkiaku Bledion Nallbati dhe një pjesë e administratës.

Në fjalën e tij para gazetarëve, ish-kryebashiaku ka deklaruar se bashkia është pushtuar dhe administrata nuk mund të punojë nën terrorin e policëve. Ai është shprehur se do të vazhdojë t’iu shërbejë qytetarëve dhe do shkojë çdo ditë te bashkia.

“Bashkia u dhunua në prezencë të deputetëve dhe prefektit të Korçës. Brenda bashkisë ka Forca Speciale. Unë jam kryetari i ligjshëm i bashkisë, i zgjedhur nga 59% e qytetarëve. Do jem këtu çdo ditë, 24 orë në ditë.

Do të vazhdoj t’iu shërbej qytetarëve. Bashkia është pushtuar. Nuk di ç’ ka ndodhur me dokumentacionin që ndodhet në zyrë. Administrata nuk mund të hyjë në bashki dhe të nisë punën nën terrorin e policisë”, ka thënë Nallbati.