TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në zonën e njohur si “Hamalla e Dedës”, pranë fshatit Qafë T’Mugu në Qelëz të Pukës.
Sipas informacioneve paraprake, një skuadër policie ndodhej në zonë në kuadër të monitorimit të një parcele të dyshuar me kanabis, kur efektivët dyshohet se janë pikasur nga personat që merreshin me kultivimin e bimëve narkotike.
Më pas, sipas dyshimeve të para, nga ana e kultivuesve janë qëlluar disa herë me armë zjarri në ajër. Nuk raportohet për persona të plagosur nga të shtënat.
Pas incidentit, efektivët kanë kërkuar përforcime, ndërsa drejt zonës së thellë malore janë nisur edhe forca të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Shkodra.
Policia po kryen kontrolle në terren për identifikimin dhe kapjen e personave që dyshohet se kanë qëlluar me armë. Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare për arrestime lidhur me të shtënat.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një aksioni policor në këtë zonë, ku një person u arrestua nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Në ditët e fundit, autoritetet kanë raportuar disa operacione kundër kultivimit të kanabisit në zonën e Pukës.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe identifikuar personat që dyshohet se kanë qëlluar me armë.