AKTUALITET, 22 August 2026, 19:59

Mbahet sot protesta e 84-të, nis marshimi drejt Kryeministrisë

Protesta qytetare kundër qeverisë po mbahet edhe sot në Tiranë, duke shënuar ditën e 84-t të asaj që protestuesit e kanë pagëzuar “Revolucioni Flamingo”.

Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, nga ku kanë përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa në turmë janë dëgjuar thirrje si “Rama ik!”, “Rama jep dorëheqjen!” dhe “Nuk shitet Shqipëria”.

Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit kanë vijuar marshimin në drejtim të Kryeministrisë.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit shprehen se nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe se protestat do të vijojnë, duke mbajtur në fokus kërkesën për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.

“Revolucioni Flamingo” nisi në maj në zonën e Zvërnecit, fillimisht në kundërshtim me zhvillimet e planifikuara në zonën e Vjosë-Nartës, por më pas lëvizja u zgjerua duke u kthyer në protesta të përditshme në Tiranë kundër qeverisë.

Protesta e sotme vjen në një kohë kur lëvizja ka hyrë në muajin e tretë, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të këmbëngulin se do të qëndrojnë në sheshe deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.