AKTUALITET, 24 Tetor 2019, 22:26

Të gjithë duan të ikin nga Shqipëria, por sipas Ramës vendi nuk po braktiset

Të gjithë duan të ikin nga Shqipëria, por sipas Ramës

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama pranoi se ka rritje të numrit të azilkërkuesve në Francë, duke shpjeguar edhe arsyet e këtij fenomeni.

Rama tha se ata që largohen janë shqiptarë që kërkojnë mundësi më të mirë punësimi.

Por sipas tij ky nuk është një eksod i shqiptarëve.

A është rritur numri i azilkërkuesve shqiptarë? Pse? Ka një arsye?

Edi Rama: Patjetër, ka një arsye. Dhe arsyeja lidhet me faktin që fluksi i azilkërkuesve, që nuk janë politikë fare, janë qytetarë të Evropës që njësoj si gjithë qytetarët e tjerë të Europës lëvizin për punë, por ndryshe nga qytetarët e BE nuk janë njerëz të lirë brenda tregut të punës, nuk mund të shkojnë të regjistrohen në punë, dhe shkojnë bëjnë kërkesë për azil për të fituar kohë.

Deri në momentin kur Gjermania ishte një destinacion që ofronte një paketë bujare për ata që vinin për të bërë azilkërkimin, pra para, muaj të tërë për shqyrtim, nuk shkonte njeri në Francë. Kthesa filloi kur me Gjermaninë ne arritëm që të krijojmë atë që duhet, bazën e origjinës së sigurtë. Pra, Shqipëria është një vend origjine i sigurtë, nuk është në luftë.