TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Unë punoj në një bankë, ata duan të na vrasin sepse ne kemi aplikuar kredi me interesa, në kundërshtim me ligjin islam”, thotë Arash, një emër i krijuar për të mbrojtur identitetin e tij.
“Unë kam punuar në një burg, tani ata janë vënë në kërkim të të gjithë punonjësve për t’u hakmarrë për talebanët që kishim burgosur”, shpjegon Gul, i cili është vetëm 22 vjeç.
Mes dhjetra personave që aplikojnë për një vizë urgjente ka histori të njerëzve të zakonshëm, të lindur rastësisht në pjesën më të vështirë të botës dhe po ashtu njerëz të famshëm, të tillë si Faëzia Koofi, ish-kryetare e Dhomës, udhëheqëse e lëvizjes politike përparimtare Lëvizja për Ndryshimin e Afganistanit.
Koofi dhe e gjithë familja e saj janë në rrezik dhe po ashtu edhe bashkëpunëtorët e saj. “Pas njëzet vitesh bashkëpunim me amerikanët, për të drejtat e njeriut, tani ne kemi frikë për jetën tonë”, tha ajo për mediat.
Ka histori të grave në Afganistan, të penalizuara nga të qenit aktiviste dhe nga të qenit gra. Fatima kandidoi për zgjedhjet politike në 2018, ajo ia kushtoi jetën mbështetjes së grave. Ajo jetonte në Takhar, një provincë në verilindje të Afganistanit, pastaj u detyrua të ikte në Kabul.
“Shpresoj se nuk kam bërë zgjedhjen e gabuar”, thotë ajo për mediat. “Sot më duhet të zgjedh mes jetës dhe vdekjes, unë jam personi i vetëm që punoj në një familje prej 8 anëtarësh. Kjo është arsyeja pse unë u largova nga qyteti im dhe tani më duhet të largohem edhe nga vendi im”.
Pastaj është Rahel, një aktiviste dhe gazetare, e cila dha alarmin se talebanët do të mbërrijnë dhe qëllimi i tyre është të krijojnë një diktaturë islamike. Tani ëndrra e Rahel është që të mbërrijë në Itali, ku dhe i kanë siguruar strehim.
Rahel u përfshi në listën e qytetarëve afganë në rrezik të menaxhuar nga Njësia e Krizave në Farnesina, organi që aktualisht merret me mbrojtjen e bashkatdhetarëve, bashkëpunëtorëve dhe disa qytetarëve afganë të ekspozuar politikisht.