AKTUALITET, 31 Dhjetor 2019, 20:14

Surprizë e pakëndshme për Strakoshën, e mbyll vitin me një dëmtim

Surprizë e pakëndshme për Strakoshën, e mbyll vitin me

Thomas Strakosha e ka mbyllur vitin 2019 jo si do të dëshironte portieri i përfaqësueses shqiptare. Gjatë paradites së sotme, futbollisti ka qenë në fushën stërvitore të klubit të Lacios, por nuk ka arritur të mbyllë të gjithë seancën e fundit të vitit.

Arsye për këtë është bërë një problem në dorë që e ka shqetësuar që në ushtrimet e nxemjes ndaj ai nuk ka marrë pjesë në ushtrimet e fundit që trajneri Simone Inzagi ka zhvilluar me skuadrën, duke i lënë vendin Protos te momentet e gjuajtjeve në portë. Një shqetësim i vogël për gardianin shqiptar i cili ka qenë i pazëvendësueshëm gjatë vitit 2019, duke munguar vetëm në rastet ekstreme për skuadrën e tij.

Nesër, Lacio do të kthehet përsëri në stërvitje gjatë pasdites, ndërsa pritet të mësohet më mirë gjendja e Strakoshës, i cili është një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj skuadre. Lacio nuk do të dëshironte të humbte shërbimet e tij qoftë edhe për një ndeshje në këtë pikë të sezonit ku ajo duket se mund të ndjekë hap pas hapi Interin dhe Juventusin.