TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Grupi anarkist i Luftëtarëve Popullore “OLA”, me anë të një postimi në portalin anarkist “Indymedia” ka marrë përgjegjësinë për sulmin me bombe ndaj kanalit televiziv SKAI dhe zyrave të gazetës Kathimerini.
Në artikullin e publikuar akuzohen shumica e mediave, pasi sipas tyre nuk dënojnë dhunën e verbër të kapitalistëve, policëve, mafies së gjykatësve dhe fashistëve ndaj të varfërve dhe emigrantëve por që mbrojnë interesat e partive në fuqi dhe ato të një grupi oligarkësh.
Ndërkohë në emrat e përmendur të personave që janë viktima të kësaj dhune është edhe ai i shqiptarit Petrit Zifle që u vra në Korfuz nga një përkrahës i Agimit të Artë, para disa javësh.
Grupi OLA konsiderohet si një vazhdim dhe transformim i organizatës Lufta Revolucionare, ELA. Sipas informacioneve të marra nga policia greke pjesëtarë të tij janë anarkistë dhe persona me dosje penale.
Drejtuesit e grupit që marrin përgjegjësinë akuzojnë disa prej gazetarëve të kanalit Skai dhe gazetës Kathimerini, për shtrembërimin e realitetit dhe pasqyrimin e ngjarjeve dhe fakteve në interes të manjatit, pronarit të këtij grupi mediatik. Akuzojnë kanalin në fjalë për legjitimim politik dhe përpjekje për të promovuar Agimin e Artë.
Sa i përket sulmeve të kryera nga ky grup ato kanë filluar në janar të 2013-s kur persona të armatosur kanë qëlluar me breshëri ndaj zyrave të Demokracisë së Re, parti që në atë kohë ishte në pushtet.
Po atë vit kryen sulm me të njëjtën mënyrë ndaj rezidencës së ambasadorit gjerman, një vit me vonë hodhën raketë ndaj ndërtesës së Mercedes-Benzit në Athinë dhe qëlluan me kallashnikov ambasadën izraelite.
Pasuan sulme me bomba, në nëntor të 2015 tek zyrat e Unionit të biznesmenëve në sheshin Sintagma të kryeqytetit, në dhjetor të 2016 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Punës, jashtë zyrave të Eurobank në prill të 2017 dhe ndaj Gjykatës së Apelit në dhjetor të po atij viti.