SPORT, 26 Shkurt 2020, 13:39

Stërling mahnit Guardiolën dhe frikëson Zidanin, sulmuesi rikuperohet në kohë rekord dhe është gati sonte për Realin

Stërling mahnit Guardiolën dhe frikëson Zidanin, sulmuesi


Rahem Stërling u dëmtua më 2 shkurt në sfidën mes Sitit dhe Totenhem dhe tifozët e anglezëve ishin në ankth nëse sulmuesi do të ishte i gatshëm për sfidën e kampionëve ishullor me Real Madridin ditën e sotme.

Stërling është një nga më të mirët e skuadrës së Guardiolës dhe mungesa e tij është një dobësi e madhe ndaj një skuadre, përballë së cilës duhet të jesh me më të mirët për të synuar fitoren.

Gjithsesi, Stërling nuk i ka zhgënjyer tifozët dhe trajnerin e tij. Ai është më gati se kurrë për ndeshjen e sotme dhe pritet të luajë nga minuta e parë. Problemi tashmë është kaluar dhe këtë e konfirmon edhe Guardiola, i cili deklaron se Stërling është gati dhe se është mrekulluar nga rikuperimi i shpejtë i sulmuesit të “Tre Luanëve”, pas atij lëndimi.

“Rahem është i gatshëm për ndeshjen e sotme. Më ka mahnitur me rigjenerimin aq të shpejtë dhe gjendjen e tij fizike. Stërling më ka thënë të hyjë në lojë që në ndeshjet me Uest Hem dhe Leister, por mjekët nuk e kanë parë të arsyeshme.

Kjo ishte një shenjë e mirë se ai do të ishte gati për sonte”, tha Guardiola, i cili sonte luan fatet e sezonit me Realin e Madridit në fazën e 1/8-ve të Champions League.