TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vendimet e gjykatave për përplasjen në Vlorë kanë prodhuar një standard që kërkon shpjegim: dy punonjësit e sigurisë që shoqëronin biznesmenin Luan Muça janë lënë në “arrest me burg”, ndërsa personi që Policia identifikoi si autorin e të shtënave me armë është dërguar në “arrest shtëpie”.
Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, punonjës të sigurisë private, do të qëndrojnë në qeli me vendim të Gjykatës së Tiranës. Ndërkohë, Gjykata e Vlorës ka nxjerrë nga qelia Angjelo Breshanin, duke caktuar ndaj tij masën “arrest në shtëpi”.
Breshani nuk është një person periferik në këtë histori. Sipas deklaratës publike të Policisë së Vlorës, ai shkoi te automjeti i biznesmenit Vasil Bedinaj, mori pistoletën që ky i fundit e posedonte me leje dhe qëlloi në drejtim të automjeteve të grupit ku ndodhej Luan Muça.
Megjithatë, për qitësin u konsiderua i mjaftueshëm arresti në banesë. Për security-t që shoqëronin Muçën u konsiderua i domosdoshëm burgu.
Masat e sigurisë të vendosura për personat e përfshirë në ngjarje janë:
Gjykata e Tiranës
* Luan Muça – “detyrim paraqitjeje”;
* Klaudio Lleshaj – “arrest me burg”;
* Mandrit Lleshaj – “arrest me burg”.
Gjykata e Vlorës
* Blerim Heta – “arrest me burg”;
* Angjelo Breshani – “arrest në shtëpi”.
Por pikërisht masa ndaj Breshanit përbën paradoksin më të madh të vendimeve. Ai është personi që, sipas Policisë, përdori armën dhe qëlloi drejt automjeteve ku ndodheshin njerëz.
Në njërën prej makinave, Policia konstatoi dëmtime në xhamin e pasagjerit, të dyshuara si të shkaktuara me armë zjarri. Në brendësi u gjetën edhe tre fishekë pistolete. Vetëm rastësia duket se ka shmangur një bilanc tragjik.
Klaudio dhe Mandrit Lleshaj ndodheshin në automjet së bashku me Luan Muçën. Pas përplasjes, makina e tyre doli nga rruga dhe si pasojë Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj u dëmtuan, duke përfunduar në spital.
Pavarësisht kësaj, dy punonjësit e sigurisë janë lënë në burg. Në krahun tjetër, personi që Policia thotë se mori armën nga makina e Bedinajt dhe hapi zjarr është dërguar në shtëpi.
Kjo diferencë nuk mund të kalojë si një hollësi procedurale. Gjykata e Vlorës duhet të shpjegojë përse autori i dyshuar i të shtënave nuk paraqiste rrezikshmëri të mjaftueshme për t’u mbajtur në burg, ndërsa për personat e tjerë u zgjodh masa më e rëndë.
Masat e sigurisë nuk caktohen për të kënaqur opinionin publik. Ato duhet të bazohen në dyshimin e arsyeshëm, provat konkrete, rrezikun e largimit, mundësinë e dëmtimit të provave dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Por përdorimi i një arme në një vend publik, në drejtim të automjeteve ku ndodheshin persona, është më e pakta tentativë për vrasje.