SPORT, 28 Prill 2021, 22:56

Sprinti final për zonën Champions, Ibra gati të udhëheqë Milanin

Sprinti final për zonën Champions, Ibra gati të

Ndonëse u shpall kampion dimri, pasi mbylli fazën e parë të kampionatit në krye të renditjes, Milani po kalon një moment mjaft të vështirë rezultatesh dhe aktualisht ka zbritur në vendin e pestë, duke komplikuar totalisht objektivin, që është një vend në zonën Champions.

Dy humbje radhazi, në shtëpi ndaj Sassuolos dhe në transfertë ndaj Lazios, kanë prishur jo pak atmosferën në klubin kuqezi, ndërsa përveç një rënieje fizike të lojtarëve, Pioli është përballur edhe me mungesën e liderit të skuadrës, Zlatan Ibrahimovic.

Megjithatë 39-vjeçari suedez ka lënë pas krahëve dëmtimin dhe është gati të luajë nga minuta e parë në sfidën e fundjavës ndaj Beneventos, aty ku Milani është i dënuar të marrë tre pikët për të shpresuar në arritjen e objektivit.

Gjiganti suedez është stërvitur rregullisht me skuadrën dhe është gati të udhëheqë skuadrën në 5 javët e mbetura deri në fund të sezonit, ndërsa trajneri Pioli fërkon duart, pasi statistikat konfirmojnë se me Ibrën në fushë, Milani ka një mesatare pikësh mjaft të lartë.