SPORT, 21 Janar 2022, 19:14

Vllaznia ka harruar të fitojë, Egnatia rrëmben një pikë të artë në Shkodër

Vllaznia ka harruar të fitojë, Egnatia rrëmben një pikë

Vllaznia ka harruar të fitojë. Shkodranët zhgënjejnë në “Loro Boriçi” përballë Egnatias (1-1) dhe nuk arrijnë të marrin më shumë se një pikë përballë miqve nga Rrogozhina, duke koleksionuar barazimin e katërt radhazi në kampionat.

Ndonëse janë mundur shumë në pjesën e dytë, që të shënojnë golin e fitores, shkodranët nuk kanë arritur që të mposhtin dot Egnatian, që merr një pikë të artë në një transfertë të vështirë.

Vllaznia është më kërkuese dhe dominon minutat e para të sfidës. Aralica humbet një mundësi të mirë për të kaluar skuadrën në avantazh. Edhe Egnatia përpiqet të reagojë, duke u shfaqur rrezikshëm me Maganin. Jonuzi provon në dy raste, por nuk arrin që të kalojë vendasit në avantazh.

Kur dukej se Vllaznia po dominonte sfidë, rrogozhinasit dhurojnë surprizën dhe arrijnë të zhbllokojnë sfidën me Ademin, që niset i vetëm nga mesi i fushës dhe arrin të mposhtë portierin Zogovic. Mbyllet 0-1 pjesa e parë në “Loro Boriçi”.

Shkodranët nisin vrullshëm pjesën e dytë në kërkim të golit të barazimit. Jonuzi dhe Da Silva nuk arrijnë të mposhtin dot portierin Puja. Egnatia humbet një mundësi të artë për të shënuar golin e dytë. Jackson shkëputet i vetëm që nga mesfusha, por nuk arrin të shmangë dot portierin Zogovic.

Në aksionin pasardhës janë vendasit ata që shënojnë. Krymi shfrytëzon një krosim në zonë dhe dërgon topin në rrjetë. Në ndeshjen e tij të 200-të me Vllazninë, mesfushori shënon golin e 3000-të në historinë e klubit kuqeblu.

Vllaznia kërkon të shfrytëzojë këtë moment të mirë dhe hidhet në sulm në kërkim të golit të fitores. Aralica humbet një mundësi të artë për të shënuar golin e fitores. Vendasit mundohen të gjejnë golin e dytë, por nuk arrijnë që të mposhtin dot portierin Puja. Mbyllet 1-1 në Shkodër, me vendasit që humbasin një shans të artë për tiu afruar kreut.