SPORT, 26 Shkurt 2026, 14:33

Vendimi në Champions kundër Juves, pse VAR-i e ndryshoi kartonin e dytë të verdhë në të kuq?

Vendimi në Champions kundër Juves, pse VAR-i e ndryshoi kartonin e

Një tjetër përjashtim ka zemëruar tifozët bardhezinj. Pas rastit Kalulu-Bastoni, tashmë në qendër të polemikave është episodi që çoi në kartonin e kuq për Llojd Kellin në minutën e tretë të pjesës së dytë të ndeshjes Juventus-Gallatasaraji.

Një vendim i diskutueshëm, arbitri në fushë kishte zgjedhur ta ndëshkonte mbrojtësin anglez me kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje me taka, ndoshta të pavullnetshme, në kyçin e këmbës së Barish Jilmaz. Një vendim që në vetvete ishte i debatueshëm, por u bë edhe më i çuditshëm pas ndërhyrjes së VAR-it. Arbitri Joao Pinheiro u thirr në monitor, në habinë e të gjithëve që po ndiqnin ndeshjen.

Fillimisht u duk se ai ishte thirrur për të anuluar kartonin e dytë të verdhë, në kundërshtim me gjithçka që është thënë javët e fundit pas ngjarjeve në “San Siro”. Por siç e tregon rasti Bastoni-Kalulu, VARi nuk mund të ndërhyjë për të anuluar një karton të dytë të verdhë. Dhe në fakt, misteri zgjati vetëm pak sekonda. Pasi pa pamjet, Pinheiro u kthye në fushë, hoqi kartonin e verdhë të sapo dhënë, por në habinë e përgjithshme i tregoi Kellit një karton të kuq direkt. Një zgjedhje vërtet e pashpjegueshme. Kontakti ishte i fortë, por i rastësishëm.

Një dinamikë krejt aksidentale, për të cilën edhe një karton i verdhë dukej i tepërt. Megjithatë, skuadra portugeze e arbitrimit e thirri Pinheiron në monitor për ta shndërruar kartonin e dytë të verdhë në një të kuq direkt. Një vendim i çuditshëm, edhe sepse në thelb ndryshon pak. Kelli, në çdo rast, do të mungonte në ndeshjen e ardhshme të Champions League për bardhezinjtë. Me kartonin e kuq direkt, mbrojtësi anglez rrezikon një pezullim më të gjatë, por duke parë natyrën aksidentale të ndërhyrjes, është e vështirë të mendohet se gjyqtari disiplinor i UEFA-s do ta ndëshkojë rëndë.