SPORT, 14 Shtator 2025, 10:57

Transmetimi skandaloz i ndeshjeve të kampionatit, RTSH sulmon FSHF-në: Ajo ka detyrimin për të prodhuar sinjalin sipas parametrave optimalë

Transmetimi skandaloz i ndeshjeve të kampionatit, RTSH sulmon FSHF-në:

Ndeshjet e djeshme Tirana–Flamurtari, Bylis–Egnatia dhe Vllaznia–Partizani janë shoqëruar me një transmetim skandaloz nga Televizioni Publik Shqiptar.

Për disa minuta, ndjekësit u përballën me ndërprerje të shumta të sinjalit live, duke u privuar nga ndjekja normale e dueleve të javës së Kategorisë Superiore. 

Ky nivel transmetimi, i konsideruar amatoresk, ka shkaktuar irritim të madh mes tifozëve, të cilët kanë shpërthyer në komente kritike ndaj RTSH-së në rrjete sociale.

Sipas tyre ky është një tjetër dështim i turpshëm i RTSH dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët prej vitesh po shfaqin rënie si në cilësinë e lojës, ashtu edhe në transmetimin televiziv të kampionatit më të rëndësishëm në vend.

Pas këtij raportimi ka reaguar dhe RTSH e cila ka bërë përgjegjëse FSHF-në.

Drejtori i RTSH Sport, Rinald Bregasi, në lidhje me këto problematika sqaron: “Në transparencë të publikut më duhet të bëj të ditur se RTSH ka një kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila ka detyrimin për të prodhuar sinjalin dhe për ta sjellë atë në RTSH sipas parametrave optimalë, gjë e cila për fat të keq nuk ka ndodhur gjatë ndeshjeve të së shtunës.

Pra, përgjegjësia për ndërprerjet e sinjalit nuk ka qenë për asnjë moment si pasojë e punës apo e sektorit teknik të RTSH. Sapo është konstatuar ndërprerja apo fragmentarizimi i sinjalit, sektori teknik i Radio Televizionit Shqiptar, pavarësisht detyrimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për të prodhuar e sjellë sinjalin e gatshëm në studiot e RTSH, ka marrë masa të menjëhershme duke bërë përpjekjet maksimale për të dhënë ndihmën e vet në zgjidhjen e problematikave, edhe pse ato kanë ardhur nga mosrespektimi i përgjegjësisë kontraktuale që Federata Shqiptare e Futbollit ka ndaj Radio Televizionit Shqiptar.”, u shpreh ai.