TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas përfundimit të 36 javëve kampionat, skuadrat e renditura në vendet 1 (Egnatia), 2 (Partizani), 3 (Vllaznia) dhe 4 (Skënderbeu), do të zhvillojnë ndeshje “play off”, sipas shortit më poshtë:SOT (17 MAJ)
PARTIZANI-SKËNDERBEU 20:00
TË DIELËN (19 MAJ)
EGNATIA-VLLAZNIA 20:00
* Ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”. Në rast barazimi pas 90 minutave të lojës së rregullt, skuadra e renditur më mirë në klasifikimin përfundimtar kualifikohet për në finale.
* Dy ekipet finaliste do të zhvillojnë më pas ndeshje për të përcaktuar ekipin kampion. Në rast se do të ketë barazim pas 90 minutave do të ketë: shtesë 2 x 15 minuta ose penallti.
* Dy ekipet e eliminuara do të zhvillojnë ndeshje me një takim në stadiumin “Air Albania” për të përcaktuar ekipin e vendit të tretë, i cili do të jetë pjesëmarrës në turin e parë të Conference League. Në rast se do të ketë barazim pas 90 minutave të lojës së rregullt, do të ketë shtesë 2 herë nga 15 minuta ose penallti.
AXHENDA
Gjysmëfinalja e parë, Partizani-Skënderbeu do të luhet më 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër, EgnatiaVllaznia, më 19 maj, në po të njëjtën orë. Finalja për vendin e tretë dhe të katërt është programuar të luhet më 24 maj, ora 19:00. Ndërsa finalja e madhe për titullin kampion, do të zhvillohet më 26 maj, ora 19:00.
KUPAT E EUROPËS
Vendi i parë në “FINAL 4”:
Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League;
Vendi i dytë në “FINAL 4”:
Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League;
Vendi i tretë në “FINAL 4”:
Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League;
Vendi i katërt në “FINAL 4”:
Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në Final 4;
Kupa e Shqipërisë:
Ekipi fitues i Kupës do të marrë pjesë në turin e parë të UEFA-s, Conference League. Në rast se ekipi fitues i Kupës është gjithashtu i renditur në njërin prej tre vendeve të para të “Final 4”, vendin e tij do ta zërë ekipi i renditur më mirë.
FINANCAT
Pas përfundimit të 36 javëve kampionat, vendi i parë do të marrë 100 milionë lekë të vjetër (Egnatia), vendi i dytë 70 milionë lekë të vjetër (Partizani), vendi i tretë 50 milionë lekë të vjetër (Vllaznia) dhe vendi i katërt 20 milionë lekë të vjetër (Skënderbeu). Klubi kampion i “Final 4” të Superiores do të marrë 100 milionë lekë të vjetër në formën e një çeku bankar. Ndërsa fituesi i Kupës së Shqipërisë do të marrë shifrën e 50 milionë lekëve të vjetër.
BILETAT
Çmimet e biletave nisin nga 1.000 lekë në tribunat pas porte dhe ato këndore. Biletat në tribunat E103, 107, 204 dhe 208 do të kenë çmimin 1.500 lekë. Me një çmim promocion, biletat për të katërta ndeshjet në këtë tribunë do të shiten me çmimin 3.000 lekë. Sakaq, biletat në tribunat E 104, 105, 106, 205, 206, 207 do të shiten me çmimin 2.000 lekë për dy ndeshjet e para gjysmëfinale dhe finale, ndërsa për ndeshjen për vendin e 3-4 me çmimin 1.500 lekë.
Me një çmim promocion, biletat për të katërta ndeshjet në këtë tribunë do të shiten me çmimin 5.000 lekë. Biletat në tribunat W101,102, 106 dhe 107 do të shiten me çmimet 3.000 lekë për dy ndeshjet gjysmëfinale, 4.000 lekë për sfidën finale dhe 2.000 lekë për ndeshjen që do të përcaktojë vendin e 3-të dhe të 4-t. Me një çmim promocion, biletat për të katërta ndeshjet në këtë tribunë do të shiten me çmimin 8.000 lekë të reja.
Në tribunën “Vip Gold” W103 dhe 105, biletat do të variojnë nga 5.000 lekë për ndeshjet gjysmëfinale, në 8.000 lekë për takimin final dhe 4.000 lekë për ndeshjen ku do të përcaktohet vendi i tretë dhe i katërt. Me çmimin promocional, katër bileta mund të blihen me çmimin 12.000 lekë të reja. Ndërkaq, në tribunën “VIP Platinium” çmimet e biletave për ndeshjet gjysmëfinale janë 7.000 lekë të reja.
Biletat për ndeshjen finale në këtë tribunë do të kushtojnë 10.000 lekë të reja. Ndërsa biletat për takimin që do të përcaktojë vendin e tretë dhe të katërt do të kushtojnë 5.000 lekë të reja. Me një çmim promocional, biletat për të katërta ndeshjet në këtë tribunë do të shiten 15.000 lekë. Biletat për “Final 4” mund të blihen “online” në ebileta.al gjatë gjithë kohës dhe në pikat fizike pranë stadiumeve “Air Albania” dhe “Selman Stërmasi”, në fashën orare 10:00-18:00. Biletat me çmim promocional do të shiten vetëm në dy pikat fizike.
NDËSHKIMET
* Kartonët e verdhë të akumuluar gjatë kampionatit nuk do të mbarten në ndeshjet e “Final 4”.
* Kartonët e kuq (teknik) në ndeshjen e fundit të kampionatit nuk do të mbarten në ndeshjet “Final 4”.
* Lojtarët dhe zyrtarët e dënuar me vendim të Komisionit të Disiplinës nuk kanë të drejtë të aktivizohen në “Final 4”.