SPORT, 20 Korrik 2023, 16:13

Skandal në Kamerun, Eto’o i përfshirë në korrupsion, dalin përgjimet

Skandal në Kamerun, Eto’o i përfshirë në korrupsion,

Sulmuesi më i madh i kohës së tij, Samuel Eto’o është përfshirë në një skandal në vendlindjen e tij. Së fundmi mediat kameruanase kanë publikuar një përgjim të Eto’o që daton në janar, në të cilën ky i fundit dëgjohet të manipulojë kampionatin vendas, ndërsa kërkonte lehtësimin e promovimit të klubit Victoria Limbe në kampionatin Elite 1.

Skuadra ishte në garë për t’u ngjitur dhe duke folur në telefon me presidentin e asaj skuadre, i cili u ankua për premtimet e pambajtura, “më thatë se do të më shoqërosh rrugës“, Eto’o siguroi: “Mos u shqetëso, do të lëmë të ngjitesh. Klubi ynë duhet të shkojë në divizionin e parë, ky është qëllimi ynë. Duhet të jesh i qetë. Lëri arbitrat të bëjnë punën. Vetëm më jep kohë të kthehem në Kamerun. Pastaj eja në zyrën time, mund të rrish disa ditë, sill edhe gratë e tua”.

Pasi mësoi se këto përgjime do të publikoheshin, Eto’o u mbrojt duke thënë: “Po flisja me një mik, dikë që investon në futboll dhe dëshiron ta bëjë klubin e tij një nga më të mirët në Kamerun. Thjesht po e qetësoja duke i thënë se do të kisha bërë gjithçka për të shmangur gabimet e arbitrave”.