SPORT, 11 Shtator 2025, 19:22

“Rrëfehet” Petar Suçiç, nga idhujt kroatë deri te sfida me Juventusin

“Rrëfehet” Petar Suçiç, nga idhujt kroatë

Debutimi i Petar Suçiç në “San Siro” kundër Torinos la menjëherë gjurmë. Mesfushori i ri kroat tregoi personalitet dhe cilësi, duke u përshtatur shpejt me ambientin zikaltër. Ndeshja e dytë, ajo kundër Udinezes, ishte më e qetë, por Kivu vazhdon t’i japë besim dhe hapësirë.

Suçiç erdhi këtë verë si një nga përforcimet më të rëndësishme të Interit dhe shihet si lojtar i së tashmes dhe i së ardhmes. Ai është përzgjedhur nga trajneri rumun për të ndërtuar një mesfushë të re, e cila kombinon forcën, teknikën dhe fantazinë. Kroati ka treguar se di të shtyjë lojën përpara dhe të futet në zonë, duke sjellë rrezik konstant për kundërshtarët.

Në një intervistë për mediat italiane, Suçiç foli hapur për rrugëtimin e tij dhe për frymëzimet që e kanë formuar si futbollist. “Jam rritur duke parë Modriçin, Brozoviç dhe Rakitiç. Ata janë idhuj për këdo që rritet në Kroaci. Nga secili prej tyre kam mësuar diçka – qetësinë e Modriçit, intensitetin e Brozoviçit dhe inteligjencën e Rakitiçit. Jam krenar që vij nga një traditë kaq e pasur mesfushorësh”, tha ai. Suçiç pranoi se kalimi në Serie A ka qenë një hap i madh, por ai ndihet gati për këtë sfidë. “Është kampionati më taktik dhe më i vështirë në Europë. Këtu çdo gabim ndëshkohet menjëherë. Por kjo më motivon të jap gjithmonë maksimumin, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje.”

Mesfushori i Interit nuk e fshehu emocionin për ndeshjen e radhës, derbin e Italisë kundër Juventusit. “Është një përballje që e kam ndjekur gjithmonë në televizion. Për mua do të jetë diçka e veçantë të luaj në një ndeshje kaq të madhe. E dimë që Juventusi është një kundërshtar i vështirë, por ne kemi besim tek forcat tona. Do të jetë e komplikuar, por Interi shkon gjithmonë për të fituar.” Ai ndaloi edhe te përshtatja me shokët e skuadrës dhe me trajnerin Kivu. “Atmosfera në dhomat e zhveshjes është e mrekullueshme. Kam gjetur lojtarë që më kanë ndihmuar shumë, sidomos kapiteni Lautaro Martinez dhe mesfushorët më me përvojë. Kivu është një trajner që kërkon shumë, por di edhe të komunikojë me lojtarët. Më ka dhënë besim dhe kjo më bën të ndihem i lirë për të shprehur lojën time.”

Përballë Juventusit, Suçiç do të ketë mundësinë të tregojë edhe një herë se Interi ka goditur në merkato. Një mesfushor i ri, i fortë, teknik dhe me vizion, i gatshëm për të ndjekur gjurmët e idhujve të tij kroatë dhe për t’u bërë një pikë referimi në mesfushën zikaltër.