TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Reali i Madridit e ka ni sur sezonin me dy fitore në transfertë përballë Atletik Bilbaos dhe Almeriës.
Ndërsa nesër në mbrëmje do të jetë i ftuar në Vigo në transfertën e tretë radhazi në La Liga – në marrëveshje me Ligën për shkak të rikonstruksionit të fushës së stadiumit “Bernabeu” – ku do të përballet me Seltën e ish-it Rafa Benitez. Trajneri aktual i Selta Vigos ka pasur një histori të shkurtër në krye të Realit të Madridit. Saktësisht ai kaloi 215 ditë në krye të Madridit, që nga prezantimi i tij më 3 qershor 2015 deri më 4 janar 2016 kur u shkarkua.
Ai ishte ura ndërmjet Zinedin Zidanit dhe Karlo Ançelotit në etapën e parë të italianit në Madrid, në një periudhë të errët, por nga e cila lindi një treshe në mesfushë që do të dominonte më pas Europën – Kasemiro-KrosModriç. Të premten, Rafa Benitez përballet me një Real Madrid shkatërrues me të gjithë trajnerët që kanë qenë në stolin e tij që i kanë dalë përpara gjatë rrugës.
Fabio Kapelo është i fundit që ka kujtime të mira pasi është përballur me Realin pas largimit nga klubi i bardhë. Pas periudhës së parë në Madrid (1996-’97), italiani u përball katër herë me “los blancos”, duke arritur 2 fitore, pësuar dy humbje, por me Juventusin ai ishte “xhelati” i Madridit në 1/8- at e finaleve në Ligën e Kampioneve në sezonin 2004- 2005. Që nga ajo mbrëmje e hidhur…
BERND SHUSTER – Gjermani ishte zëvendësuesi i Kapelos, i shkarkuar nga Ramon Kalderon, pavarësisht se fitoi titullin në La Liga. Madridi përsëriti titullin me gjermanin, por në nëntor 2008 u largua pas një deklarate që bëri zhurmë në Madrid. “Të fitosh në ‘Camp Nou’ ndaj Barçës është e pamundur”, ishte shprehja që e dënoi. Pas largimit nga “shtëpia e bardhë”, Shuster u përball dy herë me Madridin, në krye të Malagës duke pësuar dy humbje si në “Bernabeu” dhe në “La Rosaleda”.
MANUEL PELEGRINI – Mes Shusterit dhe kilianit (Pelegrini) ishte Huande Ramos, por trajneri nga La Mança ka vetëm duele me Madridin para mbërritjes së tij në Bernabeu (pesë fitore, shtatë humbje dhe dy barazime). Që nga Kapelo, Pelegrini është i vetmi “ish” që ka mposhtur Realin e Madridit. Sigurisht që bilanci është i frikshëm: një fitore në 16 ndeshje, nëntë humbje dhe gjashtë barazime. Përjashtim bën fitorja e 22 dhjetorit 2012, kur kiliani në krye të Malagës fitonte 3-2 ndaj Realit. Ishte dita kur Murinjo uli Kasijasin në stol. Herën e parë që Pelegrini u përball me Realin pas largimit nga Madridi, ai pësoi një humbje të jashtëzakonshme: 0-7 më 3 mars 2011 me tre golat e Kristiano Ronaldos.
ZHOZE MURINJO – Rrugët e Realit të Madridit dhe Zhoze Murinjos u ndanë në qershor 2013, pasi thyen hegjemoninë absolute të Barcelonës, por nuk arritën të realizonin ëndrrën e “La Décima” (Champions-i numër 10). Ata u bashkuan sërish në Superkupën e Europës në vitin 2017, por si rivalë. Ishte në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë (tani Maqedonia e Veriut), dhe golat e Kasemiros dhe Iskos mposhtën golin e Lukakut për Mançester Junajtidin e Murinjos.
KARLO ANÇELOTI – Karriera shumë e gjatë e trajnerit që aktualisht është në krye të Realit të Madridit ka bërë që ai të përballet katër ndeshje kundër “los blancos”. Dy ishin para se të ishte trajner i Madridit (një fitore dhe një humbje me Milanin) dhe dy më pas. Si një ish-madrilen, ai jetoi disa çerekfinale të jashtëzakonshme në Ligën e Kampioneve kur drejtonte Bajernin e Mynihut. Ishte prilli i vitit 2017. Madridi eliminonte Bajernin e Ançelotit 4-2 në kohën shtesë.
HULEN LOPETEGUI – Ai mbërriti pas “tërmetit” të Krasnodarit, teksa Spanja bëhej gati të debutonte në Kupën e Botës në vitin 2018 në Rusi. Mbretërimi i tij ishte edhe më i shkurtër se ai i Benitezit: 137 ditë. Pas asaj eksperience të hidhur, Lopetegui u bë trajner i Seviljës sezonin e ardhshëm. Humbjet e shoqëruan atë në përballjet e mëvonshme ndaj Realit.
HISTORIA E MUNJOZIT – Një ovacion në këmbë nga “Chamartín” emocionoi pa fund legjendën e Realit, Miguel Munjoz, në pasditen e 4 janarit 1976. Reali priste Granadën, por fotografët ua kthyen shpinën të dyja skuadrave dhe u fokusuan në stolin rival (Granadës).
Sepse në Madrid kthehej si rival trajneri më legjendar në historinë e “los blancos”. Pak më shumë se dy vjet më parë, më 14 janar, ai ishte shkarkuar, pasi Madridi u mund me ekipin e vendit të fundit (Kastejon de la Plana). Konsumimi i 13 viteve kishte pasur ndikimin e vet, duke përfshirë marrëdhënien midis Munjozit dhe Santiago Bernabeut, asokohe president i Madridit. Herën e parë që Munjoz u përball me Madridin e tij, ai pësoi një humbje të thellë 1-4.
Humbjet ishin konstante e tij në 13 duelet që pati si trajner kundër Realit, njëmbëdhjetë në La Liga dhe dy në Kupën e Mbretit: gjashtë humbje, gjashtë barazime dhe vetëm një fitore në krye të Granadës, Las Palmasit dhe Seviljës. Fitorja e vetme ishte ajo në krye të Seviljës më 21 shtator 1980, me shifrat 2-0. Edhe pse fitoi kundër Realit të Madridit, Munjoz u ndëshkua me karton të kuq dhe u dënua me gjashtë ndeshje. Arsyeja: “Protesta të pajustifikuara dhe ofendime ndaj arbitrit”.