TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Puthja skandaloze e kreut të federatës spanjolle të futbollit (tashmë i pezulluar nga FIFA), Luis Rubiales, ndaj futbollistes Jenni Hermoso, gjatë ceremonisë së marrjes së medaljeve, ka krijuar debate të forta jo vetëm në Spanjë por në mbarë botën.
Rubiales refuzoi të japë dorëheqjen, madje në fjalimin e tij të çuditshëm, u përpoq të justifikohej duke deklaruar se ishte lojtarja që e kishte ngritur nga podiumi dhe kishte rënë dakord për puthjen, version ky që është mohuar kategorikisht nga futbollistja, e cila ka deklaruar se puthja ka qenë pa pëlqimin e saj.
Kjo situatë ofron një mundësi për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek trajtimi i grave në futboll - në atë që shumë e perceptojnë si një problem sistemik, më shumë sesa individual, diskriminimi ndaj grave.
Jenni Hermoso nuk po gëzon mbështetje vetëm nga lojtaret gra, por edhe nga burrat - edhe pse ndoshta jo aq sa pritej.
Kjo ngjarje ka shkaktuar një valë të reagimeve në futboll, që është kthyer në një reagim shoqëror të gjerë. Kjo është një histori për një burrë - Luis Rubiales - i cili duket se është komplet jashtë kontaktit me realitetin, një njeri që ka ndjekës besnikë dhe është i rrethuar nga mbështetës me një pikëpamje të ngjashme për botën. Por tani, ky grup njerëzish, duket se janë në minorancë.
Reagimi i tyre ndaj kësaj çështjeje ka lënë shumë njerëz të habitur dhe në Spanjë, ata po shihen të ekspozuar.
"Një tsunami social" në Spanjë, e quan BBC atë që po ndodh me Rubiales, i cili është kthyer në temë diskutimi në tryezat e spanjollëve, ndoshta momenti "Me too" për këtë vend.
Për shumë njerëz, kjo ka të bëjë me mënyrën se si diskriminimi ndaj grave dhe vajzave funksionon. Ai nuk bëhet vetëm nga një person; ai bëhet nga një sistem.
Festimi i fitores së kupës së botës nga gratë e ekipit spanjoll ia la vendin shumë shpejt, një debati të madh, ku secili duhet të pozicionohet.
Ajo që është e dukshme, Luis Rubiales nuk është më një person i plotfuqishëm, një i paprekshëm me përkrahje në nivelet më të larta të sportit. Ai është një nga njerëzit më vulnerabël në Spanjën e sotme, më i ekspozuar se kurrë, sëbashku me sistemin që përfaqëson.