SPORT, 8 Janar 2023, 15:46

Përleshje mes ultrasve të Napolit dhe Romës, bllokohet autostrada kryesore në Itali, disa të plagosur

Përleshje mes ultrasve të Napolit dhe Romës, bllokohet autostrada

Autostrada "Del Sole" u bllokua mes Monte San Savino dhe Arezzo për shkak të përleshjeve midis tifozëve të Romës dhe Napolit, të cilët shpërthyen në zonën e shërbimit të Badia al Pino, ku tifozi i Lazios Gabriele Sandri vdiq më 11 nëntor 2007.

Prandaj korsia veriore e A1 u mbyllu, me pasoja të rënda në trafik. Ultrasit e Napolit ishin nisur drejt Genovas për ndeshjen kundër Sampdorias të planifikuar për në orën 18:00, ndërsa tifozët verdhekuq udhëtonin drejt Milanos, për ndeshjen Milan-Roma, që do të zhvillohet në orën 20:45 në San Siro.

Patrullat e policisë rrugore nga seksioni Battifolle ishin në vendngjarje. Sipas informacioneve fillestare, një i plagosur është dërguar në spitalin e Arezzo-s.

Sipas asaj që është mësuar nga selia e policisë së Arezzo-s në origjinën e përleshjeve përgjatë A1, prita ishte vendosur nga një grup ultras nga Napoli ndaj romanistëve, me të parët që qëlluan me gurë dhe pastaj erdhi reagimi i verdhekuqve.

Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe për të evituar situata të tjera të rrezikshme, ka bllokuar edhe qarkullimin në autostradë dhe vetëm pas disa orave është rihapur. Ndërkohë, vijon identifikimi i tifozëve të Romës dhe të Napolit që u bënë shkak të përplasjeve.

SALVINI: “KURRE MË NË STADIUM”

“Këta nuk janë tifozë. Autostrada e mbyllur dhe udhëtarët italianë të bllokuar? Le të paguajnë të gjitha dëmet nga xhepat e tyre dhe të mos shkojnë më në stadium.” Kështu u shpreh sekretari i Ligës, Matteo Salvini, i cili propozon që tifozët me precedentë të mos shkelin në stadium.