SPORT, 1 Shkurt 2026, 22:00

Tifozët e Interit godasin me fishekzjarr portierin e titullit të tyre historik

Tifozët e Interit godasin me fishekzjarr portierin e titullit të tyre

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në pjesën e dytë të ndeshjes mes Kremonezes dhe Interit, me protagonistë tifozët udhëtues zikaltër.

Në një moment kur aksioni ishte në anën tjetër të fushës, nga tribuna e ultrasve të Interit u lëshua një fishekzjarr që shpërtheu në këmbët e portierit të vendasve, Emil Audero. Ai mbeti i shtrirë në tokë me dhimbje në këmbë, por edhe me probleme në dëgjim për shkak të shpërthimit të fishekzjarrit, duke sjellë ndërprerjen për disa minuta të lojës.

VIDEO

Situata ishte e pakuptimtë, aq sa Lautaro Martinez dhe lojtarë të tjerë të Interit, përfshirë më pas edhe Kristian Kivu, shkuan poshtë tribunës për të komunikuar me tifozët për këtë gjest. Ndoshta ata i kujtuan tifozëve se Audero kishte qenë pjesë e Interit dy sezone më parë, duke qenë në fushë në disa ndeshje gjatë rrugëtimit historik për titullin e 20-të kampion.

Për fat të mirë ndeshja vazhdoi pasi Audero u kthye të luante dhe Interi mori tre pikët në fushë, duke shpëtuar paq nga ndonjë masë më e rëndë pasi në raste të tilla, mund të vijë edhe ndërprerja e ndeshjes dhe humbja në tavolinë.

Pas sfidës, edhe presidenti i Interit, Xhuzepe Marota, u shfaq para gazetarëve duke kritikuar tifozët e vet.

“Ishte një gjest i pakuptimtë, një situatë që nuk e kam përjetuar kurrë në të gjitha vitet e karrierës sime. Një akt flagrant sjelljeje josportive. E di që autoritetet po hetojnë. Mund të jetë një incident i izoluar, por le të presim. Ajo që mendojmë ne është ajo që mendojnë të gjithë tifozët: kemi detyrë të edukojmë, të parandalojmë këto situata. E dënojmë këtë gjest të jashtëzakonshëm dhe e falënderojmë Auderon për profesionalizmin e tij sepse kjo ndeshje arriti të mbarojë”, ishin fjalët e Marotës.