SPORT, 25 Mars 2023, 10:20

“Pa zemërim ndaj Shqipërisë”, Fernando Santos flet pas katastrofës polake në debutim: Përgjegjësia është e imja

“Pa zemërim ndaj Shqipërisë”, Fernando Santos flet

Polonia i ka nisur eliminatoret e EURO 2024 me një goditje të rëndë për moralin, pasi është mundur 3-1 në Republikën Çeke përballë vendasve. Një humbje që dhemb më shumë për mënyrën e lojës pasi ekipi pësoi 2 gola shpejt e rrallëherë reagoi në sulm.

Starti më i keq i mundshëm për Fernando Santos i cili debutonte në drejtimin e Levandovski & Co., por nuk arriti të nxirrte në pah atë që pritej nga kjo skuadër e cila mendohej se do të ishte dominuesja e Grupit E ku gjendet edhe Shqipëria. Pikërisht kuqezinjtë janë kundërshtari i radhës i Polonisë dhe Fernando Santos, pas ndeshjes së mbrëmshme ka bërë të qartë se pret një reagim ndryshe përballë Shqipërisë.

“Kjo ndeshje është pak e çuditshme. Ekipi dukej shumë i përgatitur dhe i përqendruar. Skuadra e dinte se rivëniet ishin pika e fortë e çekëve. Është e vështirë të reagosh kur pëson kaq shpejt. Përgjegjësia i takon gjithmonë trajnerit. Detyra ime është të ruaj besimin te ekipi.

Ndeshja ndaj Shqipërisë merr rëndësi në një situatë ku humbëm ndeshjen e parë. Ne nuk mund të përgjigjemi me zemërim. Duhet të luajmë më mirë, të jemi të fokusuar. Jam i sigurt se ekipi do të paraqitet më mirë.

Do të punojmë patjetër për të kthyer besimin. Ne duhet të analizojmë atë që ndodhi, gjithashtu çfarë ishte e mirë kur kemi arritur të krijojmë raste. Sapo pësuam golin e tretë, ishte e vështirë të kthenim ndeshjen. Kam besim se skuadra do të jetë në gjendje të përgjigjet pozitivisht”, u shpreh trajneri 68-vjeçar në fjalët e tij para mediave.