SPORT, 26 Gusht 2022, 19:22

Osimhen shuan ëndrrat e Ronaldos, refuzon t’i lëshojë vendin në Champions League

Osimhen shuan ëndrrat e Ronaldos, refuzon t’i lëshojë

Mediat angleze dhe ato italiane në ditët e fundit kanë folur për një shkëmbim të bujshëm, që shihte Kristiano Ronaldon të bëhej pjesë e Napolit dhe Viktor Osimhen të merrte vendin e tij në radhët e Mançester Junajtid. Një shkëmbim si pjesë e paketës së blerjes së nigerianit që do i përshtatej shumë portugezit, i cili dëshiron që të vazhdojë të luajë në Ligën e Kampioneve.

Megjithatë, menaxheri i sulmuesit nigerian, Roberto Kalenda, ka përgënjeshtruar menjëherë një hipotezë të tillë, pikërisht për faktin se Osimhen dëshiron edhe ai që të luajë në Ligën e Kampioneve dhe është i lumtur që e ka arritur me skuadrën e Napolit.

“Nuk ka asnjë bisedim në vijim, asnjë shkëmbim. Viktor Osimhen është një futbollist i Napolit dhe dëshiron të luajë Ligën e Kampioneve me Napolin e tij, pasi e ka siguruar në fushën e lojës me krenari bashkë me trajnerin dhe shokët e skuadrës”, shkruante në rrjetet sociale përfaqësuesi i lojtarit, duke i mbyllur dyert menjëherë çdo diskutimi për largimin këtë sezon nga napolitanët të Osimhen.