TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Maks Vershtapen po përgatitet të festojë titullin e tretë radhazi kampion në Formulën 1, sukses, i cili pritet të vijë që këtë fundjavë në Katar, gjashtë raunde para fundit të sezonit.
Nga Mansell te Fetel, le të shohim se cilët janë pilotët që janë kurorëzuar kampionë disa gara para fundit, ndërsa rekordi i përket legjendës, Majkëll Shumaker.
DREJT FESTËS – Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht: Maks Vershtapen po përgatitet të festojë titullin e tij të tretë radhazi botëror në F1. Sipas aritmetikës, vetëm 3 pikë i nevojiten për të fituar në një nga gjashtë garat përfundimtare, eventet bëhen nëntë nëse llogarisim edhe garat Sprint, duke filluar nga Çmimi i Madh i Katarit, i planifikuar për fundjavën nga data 6 deri më 8 tetor. Nëse do të bëhej kampion bote në Losail, holandezi i Red Bullit do të ishte ndër pilotët kampionë bote me më shumë gara para mbylljes së Botërorit.
MAJKËLL SHUMAKER 2001 – Shumi ishte një “rul kompresor” i vërtetë në vitin 2001. Në timonin e Ferrarit, gjermani dominoi sezonin, duke i mbyllur llogaritë e titullit katër gara para kohe. Kurorëzimi kampion për Majkëll Shumakerin, i dyti me skuadrën nga Maranelo, i katërti në karrierë, erdhi më 19 gusht në Çmimin e Madh të Hungarisë. Gjermani i Ferrarit mori “pole position” dhe më pas ishte i pandalshëm në garë, duke shënuar fitoren e tij të shtatë në 13 gara. Shoku i skuadrës, Rubens Barikelo, përfundoi pas tij, duke i dhënë gjithashtu Ferrarit edhe titullin kampion të konstruktorëve.
MAJKËLL SHUMAKER 2004 – Viti 2004 rezultoi gjithashtu triumfal për Ferrarin dhe Majkëll Shumakerin. Gjermani bëhet kampion bote katër gara përpara fundit të sezonit. Këtë herë titulli i shtatë në karrierë, i pesti me skuadrën e italiane, zyrtarizohet në Belgjikë. Në “Spa Francorchamps”, më 29 gusht, Shumaker po ndiqte fitoren e tij të 13-të në 14 gara, shifra mbresëlënëse. Megjithatë, Shumi duhej të kënaqej me vendin e dytë pas MekLarenit të Kimi Raikonen. Por 8 pikët ishin të mjaftueshme për të festuar titullin.
SEBASTIAN FETEL 2011 – “Manifestim superioriteti”, kështu mund ta përmbledhim me dy fjalë të thjeshta vitin 2011 të dyshes Fetel-Red Bull në F1. Katër gara para përfundimit të sezonit, titulli i dytë botëror është matematikisht i siguruar. Gjermani feston në Suzuka, në Çmimin e Madh të Japonisë, më 9 tetor. Fitorja në garë i shkoi Xhenson Batonit të MekLarenit, falë strategjisë “pit stop”, por Fetelit i mjafton vendi i tretë për të festuar. Fitues i 9-të nga 14 garat e mëparshme të sezonit, për një herë të vetme piloti gjerman tregohet i kujdesshëm dhe bën llogaritë.
MAKS VERSHTAPEN 2022 – Dominimi i Maks Vershtapenit gjatë këtij sezoni i ngjan shumë kampionatit të kaluar. Në fakt, viti 2022 ishte gjithashtu një sezon magjik për holandezin e Red Bullit, i cili e fitoi titullin katër gara para përfundimit të kampionatit. Falë 11 sukseseve në 17 eventet e mëparshme, Vershtapen mbërriti në Suzuka më 9 tetor për të mbyllur llogaritë. Maks triumfoi përpara shokut të tij të skuadrës, Serxho Perez, dhe Ferrarit të Sharl Lëklerkut. Suksesi i dha edhe sigurinë matematikore të titullit botëror, i dyti radhazi për holandezin.
NAJXHËLL MANSELL 1992 – Në vitin 1992, Formula 1 ishte mbretëria e Najxhëll Mansellit dhe e skuadrës Uilliams-Renault. Ky binom i jep Botërorit një “tirani” të theksuar sportive, saqë e sheh britanikun të festojë titullin me pesë gara para kohe. Triumfi i kampionatit botëror festohet në Hungari, në ndalesën e 11- të të kalendarit, më 16 gusht. Çuditërisht, Mansell, i cili kishte fituar 8 nga 10 raundet e mëparshme, iu dorëzua Airton Senës, duke përfunduar i dyti. Të dy, rivalë të mëdhenj në sezonet e mëparshme, do të ndajnë podiumin për herë të fundit. Më pas britaniku u largua nga F1, ndërsa Sena vdiq tragjikisht në Imola dy vite më vonë.
MAJKËLL SHUMAKER 2002 – Të shpallesh kampion me gjashtë gara të mbetura, deri më tani është një rezultat të cilin e ka prekur vetëm Majkëll Shumaker në vitin 2022. Gjermani, i mbështetur nga një Ferrari galaktik, mbyll çështjen e titullit që në 21 korrik, në Çmimin e Madh të Francës, raundi i 11-të i Botërorit. Shumi në këtë garë shënoi suksesin e tetë, ndërsa iu desh shumë punë për të kaluar MekLarenin e Kimi Raikonenit, i cili ishte vërtet i pafat. Finlandezi, në fakt, rrëshqet në një njollë vaji dhe i lë rrugën hapur rivalit të tij. Për kampionin e Ferrarit ishte titulli i pestë në karrierë, i treti me skuadrën e Maranelos.