SPORT, 15 Maj 2025, 18:56

Milani nis spastrimin pas dështimit kolosal. Largohet Konseisao, e ndjek edhe…

Milani nis spastrimin pas dështimit kolosal. Largohet Konseisao, e ndjek

Sezoni i Milanit mund të cilësohet plotësisht i dështuar dhe me përjashtim të ndonjë mrekullie në javët e fundit, kuqezinjtë duken të dënuar të mbeten pa Europë apo në rastin më të mirë të përfundojnë në Ligën e Konferencës në sezonin e ardhshëm.

Vetëm Superkupa nuk mjafton për të kënaqur tifozët të cilët menjëherë pas finales së Kupës së humbur kanë nisur protestat e zëshme në stadium dhe kanë vazhduar në rrjetet sociale. Ata kanë kërkuar largimin e drejtuesve, por për momentin duket se spastrimi do të fillojë brenda skuadrës.

I pari që do të largohet është Serxho Konseisao. Trajneri nuk ia doli të siguronte objektivin minimal të  mundshëm që ishte trofeu i Kupës dhe pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Ndaj mediat italiane e bëjnë fakt të kryer largimin e tij në mbyllje të edicionit. Por ai nuk është emri i vetëm, pasi një tjetër portugez do të largohet pa lënë shenjë te kuqezinjtë.

Bëhet fjalë për Zhoao Feliks, një huazim i cili ishte ndër më të çuditshmit që ka bërë Milani në vitet e fundit, me një lojtar që rrallëherë u duk se kishte lidhje me pjesën tjetër të skuadrës. Ai nuk dha thuajse në asnjë moment atë që pritej e kështu, gjatë verës do të t’i japë lamtumirën kuqezinjve si një nga shpenzimet më të kota që ka bërë klubi në këto vite.