SPORT, 14 Qershor 2024, 14:52

“Me Shqipërinë është më e rrezikshmja”, Donaruma flet për kuqezinjtë: Kanë individualitete shumë të forta, mund ta fitojmë në minutën e fundit

“Me Shqipërinë është më e rrezikshmja”,

Xhanluixhi Donaruma mendon se Italia duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Shqipërisë, për të mos ndikuar rrugëtimin e saj të mëtejshëm në Euro 2024. Portieri dhe njëkohësisht kapiteni i të kaltërve, është shfaqur sot në konferencën për mediat para sfidës, duke dhënë mendimet e tij rreth kësaj përballje.

“Kjo është sfida më e rrezikshme, pasi jemi në një grup të vështirë dhe nuk mund të gabojmë në debutim. Ata janë të shpejtë, kanë një lojë të bukur dhe nesër nuk mund të luash me 79-80%, por duhet të jesh në 100%. Ne i mendojmë ndeshjet me radhë ndaj duhet fituar që të vendosim një pjesëz në vendin e duhur. Shqipëria ka individualitete shumë të forta dhe duhet të jemi të vëmendshëm që të mos krijojmë hapësirë, pasi dinë të të godasin keq në kundërsulm.

Do të nevojitet kompaktësi, ekuilibër dhe shumë vëmendje që të mos zgjatemi në fushë. Ndeshja mund të fitohet edhe në minutën e fundit. Fitorja nesër është e detyrueshme dhe do të na vendoste në një pozitë ndryshe. Ndërsa po të mos bëjmë pikë, do të na vendoste në një situatë shqetësuese. Edhe pse objektivi ynë është të bëjmë pikë në çdo ndeshje.

Të jem kapiten është një përgjegjësi më shumë, por nuk ndryshon shumë gjëra. Në këtë grup ka shumë lider që do të tregojnë prezencën e tyre, ashtu siç do të bëj unë. Europiani i kaluar ishte fantastik dhe i paharrueshëm, u shkrua historia dhe tani të mundohemi të shkruajmë një tjetër për Italinë.

Më mirë në mbrojtje me tre apo me katër? Për mua i rëndësishëm nuk është moduli, por si interpretohet ndeshja. Duhet sulmuar dhe mbrojtur të gjithë bashkë, të jemi të lidhur. Për mua ka pak rëndësi, është trajneri që vendos”, tha Donaruma para gazetarëve.